Arbëri

Arratisja e shqiptares nga Wuhani

Pritjet e Silva Doçit janë se tash e tutje shumë persona do ta lidhin me koronavirusin. Shtetases së vetme shqiptare, që jetonte në qytetin kinez Wuhan, vatrën e shpërthimit të epidemisë vdekjeprurëse, përveç shqetësimeve e ndryshimit të planeve, i ka dhënë edhe përjetime që thotë se do t’i kujtojë gjatë gjithë jetës.

Pret edhe shumë pyetje për këtë periudhë. Thotë se me kënaqësi do t’i ndajë përvojat e saj me të tjerët, derisa tregon se do të ishte e padrejtë po të thoshte se gjatë kësaj periudhe nuk ka ndier frikë.

Doçi është evakuuar nga Kina ditë më parë me ndërhyrjen e diplomacisë shqiptare dhe asistencën e shtetit të Turqisë. Tani ndodhet në një bazë karantine në shtetin e Turqisë, ku janë duke iu bërë të gjitha analizat, para se t’i jepet leja për t’u kthyer në Shqipëri, në vendin e saj të lindjes.

Njohja me virusin

Silva që në Kinë studion për diplomaci, religjion dhe politikë, tregon që për herë të parë ka dëgjuar për koronavirusin në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, kur sapo ishte kthyer nga Koreja e Jugut pas disa ditë pushimesh për Krishtlindje.

“Në ato ditë flitej për një virus që mund të ishte SARS, por që nuk përhapej nga njeriu në njeri”, rrëfen ajo në bisedë me gazetën. Kjo e ka bërë të mos e marrë seriozisht situatën.

“Mendohej që nuk transmetohet nga njeriu në njeri, mendohej se ishin të prekur vetëm ato që kishin të bënin me pazarin e produkteve të detit nga thuhet se ka dalë virusi”.

Reagimi i saj i parë pas kësaj ishte që të mos hante produkte deti për disa kohë. Por kjo ndryshoi pas mesit të janarit, atëherë kur u shpërnda lajmi për një tip virusi të panjohur më parë.

“Nisa të lexoj më shumë e të interesohem”, tregon Silva, e cila nga viti 2009 ka jetuar në Wuhan.

Përhapjen e shpejtë të virusit thotë ta ketë ndihmuar periudha kur u shfaq.

“Përhapja e virusit ka filluar që në fund të vitit të kaluar, por mori përmasa të mëdha në mes janari, që përkoi edhe me fillimin e pushimeve të vitit të ri kinez, i cili shoqërohet me një numër shumë të madh lëvizjesh nga një vend në një tjetër, gjë që e ndihmoi përhapjen e virusit jo vetëm në Kinë, por edhe jashtë saj”, rrëfen ajo.

Qyteti në karantinë

Ndalimi i transportit rrugor, hekurudhor e ajror, tregon se Wuhanin e shndërroi në qytet të mbyllur.

“Gjërat ndodhen shumë shpejt dhe qyteti i Wuhanit, ku edhe filloi virusi e ku unë jetoj prej shumë vitesh, u mbyll dhe nuk lejohej në asnjë mënyrë transporti qoftë për dalje ashtu edhe për hyrje duke përfshirë fluturimet, trenat, si edhe rrugët tokësore”, tregon Silva, studente në doktoratë në vitin e katërt. Kjo e shtyri që edhe ajo të ndërmarrë veprime preventive.

“Masat kryesore që kemi marrë kanë qenë reduktimi i daljes jashtë, sidomos në ambiente me shumë njerëz, theksim i higjienës personale, sidomos larja e duarve dhe përdorimi i maskave”.

Tregon se nuk e kishte menduar të largohej nga Kina, pasi që nuk e kuptuan qysh në fillim që situata do të përkeqësohej. Këshillën e parë për largim tregon ta ketë marrë nga familja.

“Kur gjendja filloi të bëhej alarmante dhe lajmet jashtë Kinës filluan të flasin për këtë virus, edhe në Shqipëri po lakohej lajmi në platformat mediatike, ndaj familja ime filloi të shqetësohej dhe më sugjeroi largimin për disa kohë”.

Merakun për situatën thotë se ia shtuan informacionet e shumta për virusin që qarkullonin në internet.

“Pasi kjo çështje u bë serioze, informacionet e para i morëm jo vetëm nga interneti, pasi shpesh është e vështirë të dallohen të vërtetat nga jo të vërtetat, por edhe nga Universiteti nëpërmjet njoftimit me email, në wechat (aplikacion i përdorur në Kinë) edhe nëpërmjet fletushkave të ngjitura në konviktet ku në jetojmë”, tregon ajo. Silva thotë se informacionet që morën ishin shpjeguese për karakteristikat e këtij virusi, shenjat që jepen pasi dikush është prekur, si të mund ta parandalojnë edhe si të veprojnë në raste dyshimi për prekje nga virusi.

“Ne morën informacionet e para nga Universiteti, për mënyrën e mbrojtjes nga ky virus. Shumë njerëz nuk i dhanë rëndësinë e duhur, edhe kjo duke shtuar përhapjen dhe shumë të tjerë morën masa direkte. Ne si studentë ndjekim udhëzimet e dhëna nga Universiteti pasi ato janë më të sakta e të detajuara për ne si të huaj e si studentë”, tregon ajo për zbatim të masave të këshilluara.

Sipas saj, koronavirusi si virus i ri gjeti të papërgatitur jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe sistemin shëndetësor në Kinë.

Frika

Silva thotë se dikush që s’ka frikë nga virusi është ai që nuk ka informacion për këtë rrezik. Mendon se të gjithë kishin frikë dhe thotë se do të ishte e padrejtë po të thoshte që nuk është ndier e frikësuar.

“Si çdokush tjetër edhe unë kam ndier frikë nga ky virus. Koronaviruset edhe pse me masat e duhura mund të parandalohen, në të njëjtën kohë janë edhe shumë të lehtë për t’u marrë. Nga një teshtimë e dikujt, i cili është bartës i virusit, dikush që ndodhet pranë mund të preket. Ne normalisht nuk mbajmë maska mbrojtëse, vetëm në rastet kur niveli i ndotjes së ajrit është shumë i lartë. Do të ishte e padrejtë të thosha që nuk kam pasur frikë”, tregon ajo.

Frikë nuk ka ndier vetëm ajo, e cila jetonte në vatrën e virusit.

“Familja ime ka qenë shumë në merak gjatë gjithë kohës dhe ka qenë shtysë që unë të kthehem në Shqipëri. Më kontaktonin shumë shpesh, disa herë gjatë ditës për të më pyetur si jam”, tregon ajo për shqetësimet e familjes së saj.

E pikërisht me insistimin e familjes së saj edhe miqve, ajo ka nisur edhe planin për t’u kthyer në Shqipëri. Por evakuimin nga Kina, sipas saj, nuk mund ta realizonte thjesht me një biletë avioni.

“Qyteti ishte i mbyllur dhe një biletë avioni nuk bënte punë”.

Largimi nga Kina thotë se do të ishte i pamundur pa ndihmën e institucioneve të duhura. “Evakuimi im do të ishte i paarritshëm pa ndërhyrjen e Qeverisë Shqiptare nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasadës Shqiptare në Pekin. Ambasada jonë në Pekin ka qenë gjithë kohën në kontakt me mua, duke u interesuar për gjendjen time dhe duke kërkuar informacionet e duhura rreth meje dhe situatës në Wuhan”, rrëfen Silva.

Sipas rregullave të vendosura nga Qeveria kineze, nëse një shtet vendoste të merrte shtetasit e tij duhej të sillte vetë një avion në Wuhan dhe të dilte direkt jashtë Kinës, pa transit. Disa shtete të vogla, si edhe Shqipëria, ku edhe numri i shtetasve në Wuhan ishte i vogël (në rastin tim vetëm unë) duheshin të bashkëpunonin me shtete të tjera, në rastin tim ishte Turqia, pasi Turqia vendosi të sjellë një avion për të marrë shtetasit turq (gjithashtu edhe për të ndihmuar Kinën me ndihma mjekësore).

“Gjithashtu, edhe Ambasada shqiptare në Turqi ka qenë një mbështetëse e këtij misioni”.

Evakuimi nga Wuhani

Doçi u evakuua nga Kina më 1 shkurt. Thotë se udhëtimi për në Turqi u vendos shumë shpejt. Ajo tregon edhe për udhëtimin nga Kina në Turqi.

“Ishte një udhëtim shumë i gjatë, i lodhshëm, por një eksperiencë e paharruar. Stafi mjekësor në avion ishte shumë profesional”, tregon ajo.

Thotë që në tërë këtë situatë ka zgjedhur të mbajë qëndrim pozitiv në raport me dramën që zhvillohej rreth saj.

“Me gjithë merakun e virusit, më gjithë vëmendjen e mediave, me gjithë lodhjen e dy ditëve të gjata në rrugë, unë zgjodha të jem pozitive”, tregon ajo, derisa e pyet veten: “Sa herë në jetë një njeri evakuohet nga një zonë në rrezik me një avion ushtarak cargo, me një staf mjekësor që kontrollon çdo gjë?”.

Thotë se tërë këtë periudhë e ka kaluar duke shpresuar që çdo gjë do të shkojë mirë dhe se kjo do të mbetet një eksperiencë për t’u treguar shumë herë në të ardhmen.

Prej 1 shkurtit Silva gjendet në Ankara dhe është duke iu nënshtruar procesit të karantinës bashkë me të gjithë shtetasit nga Turqia, Azerbajxhani e Gjeorgjia, me të cilët është kthyer në një avion.

“Ky proces është një izolim që përfshin vizita dhe kontrolle shëndetësore për të parë nëse ne jemi apo jo bartës të virusit, proces që si rregull zgjat 14 ditë”, tregon Silva, derisa shton se i gjithë stafi mjekësor dhe jo mjekësor, kujdesen shumë për ta. “Ne nuk kemi kontakt fizik me botën e jashtme, por kushtet në të cilat jemi vendosur janë të mira. Unë jam edhe në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën shqiptare në Ankara që interesohet për shëndetin tim edhe për çdo nevojë që unë mund të kem”, tregon Silva, derisa thotë se shpreson që të gjitha analizat t’i dalin mirë.

“Do të kthehem në Kinë”

Tregon se shumë veta e pyesin a do të kthehem sërish në Kinë.

“Patjetër që po, sapo situata të qetësohet”.

Këtë thotë se nuk do ta bëjë vetëm për shkak se studimet i ka të pambaruara, por edhe sepse Wuhani është qyteti ku ka jetuar për gati 11 vjet dhe se atje ka shumë kujtime e miq.

“Në momentin që largohesha kisha shumë mësues, miq e shokë që më thoshin mos u largo, mos e braktis Wuhanin dhe neve, dhe i kam siguruar që kjo nuk është braktisje, por thjesht një largim i përkohshëm për t’u përmirësuar vetë fizikisht e emocionalisht, për të qetësuar familjen time që është në merak, e për t’u kthyer në atdhe pas një viti larg”, tregon Silva.

Ndërkohë që thotë se nuk ka ndonjë pritje të veçantë për kthimin e saj në Shqipëri. Thotë se me rëndësi e ka shëndetin.

“Përveçse dua të kthehem e shëndetshme pranë familjes, miqve e të gjithë atyre që ishin në merak për mua, nuk kam asnjë pritje tjetër për kthimin tim në Shqipëri. Mendoj se të qenit e shëndetshme është mënyra më e mirë për t’i falënderuar të gjithë ata që u munduan për mua dhe ata që ishin në merak gjatë gjithë kësaj periudhe”, thekson ajo.

Përveç mirëpritjes, derisa qesh, thotë se pret që në Shqipëri do të ketë njerëz që gjithmonë do ta lidhin me koronavirusin.

“Ahh, si do të trajtohem atje? Mendoj se shumë do të më mirëpresin, por do të ketë edhe nga ata që do të më lidhin gjithmonë me koronavirusin, hahaha. Do të jem gjithmonë e marrë në pyetje për çdo gjë që kam jetuar këto kohë”, rrëfen Silva. Kjo thotë se nuk ishte mënyra më e mirë për të qenë në qendër të vëmendjes.

“Por ja që ndodhi, mund t’i ndodhë kujtdo. Unë mbetem ajo që kam qenë gjithmonë, veç me një eksperiencë më shumë në jetën time, që me kënaqësi e ndaj me të gjithë, gjithmonë duke parë anën pozitive”, tregon ajo, duke thënë se përballja me këtë situatë ia ka lehtësuar të qenit optimiste. “E provova të jem pesimiste dhe nuk më çoi askund, përkundrazi më dobësoi shumë ndaj vendosa të jem optimiste, mbase më sjell më të mira”, përfundon ajo rrëfimin.

Numri i të vdekurve nga koronavirusi tanimë ka tejkaluar shifrën e përgjithshme të viktimave nga pandemia e SARS-it më 2003, kur në Kinë kishin vdekur 349 veta. Rreth 500 persona kanë vdekur në Kinë si pasojë e shpërthimit të koronavirusit të ri, derisa është raportuar për 24 mijë e 324 raste të prekura nga ky virus deri më 4 shkurt.

Mirëpo, autoritetet kineze kanë njoftuar se janë trimëruar nga shifra në rritje e personave të kuruar, duke raportuar se tanimë qindra persona janë dërguar në shtëpi nga trajtimet mjekësore.

Legjenda: Silva Doçi është shtetasja e vetme shqiptare që jetonte në qytetin kinez Wuhan, vatrën ku shpërtheu koronavirusi. Doçi më 1 shkurt është evakuuar nga Kina dhe tani ndodhet në Turqi në një qendër karantine, ku për 14 ditë do t’iu nënshtrohet analizave të ndryshme laboratorike