Arbëri

AKI-ja nuk tregon numrin e personave të përgjuar

Gjykatës Themelore në Prishtinë i është drejtuar AKI-ja pas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, që KOHËS t’i ofrohen të dhënat për numrin e personave që ka përgjuar gjatë 2021-s. AKI-ja për moszbatim të vendimit të Agjencisë është dënuar në qershor me 3 mijë euro gjobë. Nga gjykata, AKI-ja kërkon anulimin e vendimit, me arsyetimin se informacionet janë të klasifikuara

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) është detyruar të paguajë tre mijë euro gjobë pasi nuk tregoi numrin e personave që ka përgjuar gjatë vitit të kaluar. AKI-ja është gjobitur nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për mozbatimin e vendimit që të ofrohen informacionet e kërkuara nga KOHA lidhur me këtë çështje.

Kërkesën për qasje në dokumente publike, me pyetjet për numrin e personave të përgjuar e rastet nga AKI-ja, KOHA fillimisht e ka bërë më 28 dhjetor 2021. Për shkak se nuk ka marrë përgjigje, kërkesa është përsëritur më 11 janar 2022. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka heshtur karshi kërkesave, andaj më 25 janar të 2022-s KOHA ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Në prill të këtij viti, Agjencia përmes një vendimi ka obliguar AKI-në që t’i ofrojë KOHËS përgjigjet e kërkuara.

Dy muaj më vonë, në qershor, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dënohet me tre mijë euro gjobë për moszbatimin e vendimit të marrë. Sipas Agjencisë, AKI-ja nuk i është bindur vendimit përkundër paralajmërimit që kishte për afatin e caktuar.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke vënë re qasjen mospërfillëse të këtij institucioni publik ndaj vendimmarrjes së AIP-së, është detyruar të vazhdojë me hapin e radhës të shqyrtimit të kësaj ankese, duke nxjerrë vendimin Nr.Gj-52/2022 përmes së cilit i shqiptohet gjobë institucionit publik në fjalë”, thuhet në vendimin e AIP-së, që mban datën 08.06.2022.

Për vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi që televizionit t`i ofrojë informacionet e kërkuara, AKI-ja ka paditur Agjencinë. Padia është parashtruar në të njëjtën ditë kur AKI-së i është shqiptuar gjoba.

“Ju njoftojmë se me datën 08.06.2022, AKI-ja ka parashtruar padi në konflikt administrativ për anulim të vendimit të AIP-së me ref. AP-52/2022, me të cilin AIP-ja ka obliguar AKI-në që të ofrojë qasje në informacionet lidhur me kërkesat për përgjim të vitit 2021”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Sipas kësaj përgjigje, krahas padisë, AKI-ja ka kërkuar nga gjykata që të vendosë masë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, por nuk ka marrë përgjigje andaj edhe ka kryer pagesën prej 3 mijë eurosh.

“Duke marrë parasysh se çështja e mosofrimit të dokumenteve të klasifikuara të cilat i ka kërkuar AIP-ja, është në proces pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas padisë së AKI-së, si dhe duke e pasur parasysh se rrethanat, në bazë të cilave nuk është lejuar qasja në informacionet/dokumentet e kërkuara, nuk kanë ndryshuar, AKI-ja deri në përfundim të procesit gjyqësor nuk mundet të vendosë ndryshe”.

Arsyetimi i Agjencisë së Inteligjencës është se informacionet e kërkuara janë informacione të klasifikuara në AKI dhe të njëjtat mbrohen me ligj.

“Qasja respektivisht dhe shpërndarja e tyre përveç kufizimeve ligjore të përmendura, paraqet ndjeshmëri të lartë dhe vlerësohet me risk të papranueshëm për shkak të nevojës për mbrojtjen e metodave të inteligjencës dhe informacionit tjetër të klasifikuar. Për arsyet e refuzimit është njoftuar edhe AIP-ja, dhe pas vendimit të tyre jemi detyruar të kërkojmë mbrojtje gjyqësore përmes padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”.

Pas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi që ta gjobisë AKI-në, KOHA ka përsëritur sërish kërkesën për të marrë informacione lidhur me pyetjet e parashtruara për numrin e rasteve dhe personave të përgjuar. Për dallim nga dy herët e kaluara kur AKI-ja kishte zgjedhur që të heshtë kësaj radhe, ajo është përgjigjur shtatë ditë pasi i është bërë kërkesa. Kërkesa e KOHËS është refuzuar sërish. Kësaj radhe me arsyetimin se janë në pritje të vendimit të Gjykatës së cilës i janë drejtuar për vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

“Arsyet për të cilat AKI-ja nuk ka ofruar qasje në dokumentet e kërkuara, mbesin po të njëjtat që janë parashtruar në përgjigjet të cilat i kemi adresuar në AIP, por edhe në adresë të gjykatës kompetente përmes padisë për konflikt administrativ, deri në përfundim të këtij procesi gjyqësor të filluar për këtë çështje. Si rezultat, ju njoftojmë se AKI-ja, duke qenë në pritje të një vendimi përfundimtar gjyqësor lidhur me këtë çështje, ka vendosur të refuzojë edhe njëherë kërkesën tuaj për qasje në informacionet e klasifikuara që kanë të bëjnë me pyetjet e parashtruara më lart”, thuhet në përgjigjet e AKI-së.

E gjoba e shqiptuar ndaj AKI-së është në mesin e katër të tjerave që Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka shqiptuar për mosrespektimin e ligjit për qasje në dokumente publike.

Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, ka thënë se shqiptimi i gjobave ndikon në rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve publike, por edhe të sektorit privat. Ajo ka bërë të ditur se kanë vetëm një rast kur gjoba e shqiptuar nuk është paguar dhe si rrjedhojë kanë hyrë në procedurë të përmbarimit.

“Në parim politikat e Agjencisë nuk janë gjobitja. Politikat e Agjencisë janë ndërgjegjësimi jo vetëm institucional, por edhe i shoqërisë në raport me zbatimin e ligjit edhe për qasje edhe për mbrojtje të të dhënave. Por, gjoba sigurisht që e ka efektin e saj, deri më tani nuk mund të them se përmes gjobave kemi arritur ndryshimin më të madh”, ka thënë ajo. “Pa marrë parasysh se është i njëjti buxhet, ndikimin vetë gjoba e arrin për faktin se dënimi ynë është publik, për faktin se tregon njëfarë jotransparence të institucionit”.

Sogojeva ka treguar se ndonëse gjoba bëhet nga institucioni, mjetet i kthehen buxhetit të shtetit, dhe se pagesa ndikon në planifikimet financiare e të aktiviteteve të institucionit përkatës.

“Dënimi ndaj institucionit ka ndikimin e vet, sepse çdo institucion ka një zyrtar kryesor administrativ, i cili është përgjegjës për zbatimin e sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit në të gjitha nivelet dhe përmbushjes së planit vjetor të institucionit. Andaj, shpenzimi i këtyre mjeteve për pagesë të gjobave ka ndikim në kontrollin e brendshëm të financave dhe planifikimet e aktiviteteve tek institucioni përkatës”, ka thënë Sogojeva.

Përveç për mosqasje në dokumentet publike, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shqiptuar edhe gjashtë gjoba të tjera për mosrespektim të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.