Arbëri

AAK-ja zhbllokon procesin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të enjten do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare me çka do t’i jepet fund bllokadës katërmuajshe për ratifikimin e tyre. Vlera e projekteve të këtyre marrëveshjeve kalon shifrën e mbi 400 milionë eurove. E Partia Demokratike nuk ka ndryshuar qëndrimin. Për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare kërkohen 2/3 e votave të deputetëve

Pas katër muajsh bllokadë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i hapë rrugë ratifikimit të tyre.

Në një deklaratë për KOHËN, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se do t’i mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare, që të enjten do të dalin për votim në seancë.

Tahiri ka thënë se grupi i tyre parlamentar deri më tash ka votuar pa rezervë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 800 milionë euro dhe se veprimet politike të pushtetit i kanë shtyrë ata të abstenojnë nga votimi në muajt e fundit.

“Për një periudhë kohore kemi parë një abuzim të skajshëm të shumicës dhe kemi pasur një qëndrim për të mos i votuar. Janë disa marrëveshje nesër të cilat do t’i mbështesim për shkak që mendojmë se janë shumë të rëndësishme, sikur bursat për studentë, mirëpo edhe disa investime të tjera”, ka thënë ai.

AAK-ja bashkë me PDK-në që nga fundi i korrikut, për shkak të mospajtimeve me veprimet e Qeverisë, kanë vendosur që si mjet politik ta përdornin mospjesëmarrjen në votim të ujdive ndërkombëtare, ratifikimi i të cilave bëhet me 80 vota.

Si rrjedhojë grumbullimi i tyre prej 10 sosh ka lënë peng projekte në vlerë mbi 400 milionë euro.

Partia Demokratike vazhdon ta mbajë qëndrimin e njëjtë për mosvotim të tyre. Por, deputeti Xhavit Haliti pret që së shpejti do të ndryshojë vendimi i partisë, meqë thotë se nga kjo mungesë konsensusi pësojnë qytetarët.

“Politikisht, personalisht kam qenë kundër atij vendimi dhe jam kundër, por politikisht dihet që ne i marrim vendimet me shumicë votash dhe unë jam i obliguar ta respektoj si vendim... Po besoj që shumë shpejt në një mbledhje të ardhshme të Këshillit Drejtues mund të ndryshohet ky vendim që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare. Sepse, marrëveshjet ndërkombëtare nëse nuk votohen shkojmë në dëm të interesave të Kosovës”, ka thënë Haliti.

Gatishmëri për votimin e marrëveshjeve nga opozita deri tash ka shprehur vetëm LDK-ja.

Deputetja Doarsa Xhelili-Kica ka thënë se qëndrimi që kanë mbajtur në raport me votimin e tyre nuk është rezultat i angazhimit dhe bashkëpunimit me Vetëvendosjen, por vullnet i LDK-së.

“Mënyra e vetme se si LDK-ja ka votuar, ka qenë vetëm me unitetin e brendshëm të LDK-së dhe me vendimin e brendshëm të LDK-së që marrëveshjet ndërkombëtare të votohen për shkak të atij që në fund përfiton që është qytetari i Kosovës”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, pret reflektim nga të gjitha grupet parlamentare për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve. Sipas saj, duhet angazhuar maksimalisht të gjithë që t’u japin mbështetje këtyre marrëveshjeve.

“Shpresoj ta tejkalojmë këtë situatë. Nuk e shoh si dobi-prurëse për askënd refuzimin apo mospjesëmarrjen në votim në këto marrëveshje të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë ajo.

Këto marrëveshje e kalojnë vlerën prej 420 milionë eurove, shfrytëzimi i të cilave sipas

Kusarit, kanë rëndësi të madhe për ekonominë.

“Rëndësia është jetike për shkak se kemi të bëjmë me sektorë strategjikë. Marrëveshja më e madhe e cila është edhe e para në radhë për t’u miratuar është ajo për rehabilitimin e linjës hekurudhore, gjatësia e së cilës tejkalon 100 kilometra ndërsa vlera totale e marrëveshjes është 250 milionë euro”, ka shtuar ajo.

Për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare disa herë ka bërë thirrje edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Ai i ka ftuar deputetët t’i miratojnë ato duke thënë se ekzistojnë afate buxhetore që mund t’i rrezikojnë mjetet e pashpenzuara.

“Kosova do të humbasë shumë para nëse këto marrëveshje nuk votohen së shpejti, është në interes të gjithë vendit. E dini, ka afate buxhetore, dhe nëse paratë nuk shpenzohen ato tërhiqen, kjo do të ishte shumë fatkeqësi për Kosovën, por edhe për taksapaguesit gjermanë, sepse paratë nuk mund të shpenzohen”, ka thënë Rohde.

Mosuniteti i deputetëve për votime të tilla është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.