200 produkte të listës esenciale janë blerë me çmime deri 100% më të larta se çmimet reale të tregut. Në një hulumtim të Institutit Colombus, me titullin “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike”, dolën në pah keqpërdorimet milionëshe me blerjen e barnave në listën esenciale dhe materialit shpenzues nga Ministria e Shëndetësisë nga viti 2016, raporton KT V.
Ministri pranoi keqpërdorimet, por tha se po punohet që të përmirësohet situata.
I gjithë hulumtimi i Institutit Columbus për keqpërdorimet milionëshe të barnave kishte nisur me një raportim të gazetës “Koha Ditore” për 10 produkte, të cilat ishin blerë me çmime të larta.
Autorja e këtij dokumentari, Saranda Ramaj, përmendi vetëm disa nga produktet, të cilat gjatë hulumtimit dolën se kishin pësuar ndryshime në çmime nga 100 % deri në 2000 për qind.
Por që, sipas Ramajt, pavarësisht fakteve të prekshme, Prokuroria asnjëherë nuk nisi hetimet.
Keqpërdorimin me barna e kishte ngritur edhe Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë, por që këto deklarata hasën në vesh të shurdhër.
U theksua fakti se në këtë mes pacientët janë ata që më së shumti pësuan.
E, keqpërdorime ishin bërë edhe në blerjen e materialit shpenzues.
Blerja e barnave me çmime abuzuese, sipas ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, është fakt i cili ka ndodhur.
Tha se po punohet në krijimin e një sistemi që të evitohen këto keqpërdorime.
Pa një mekanizëm të duhur, sipas ministrit të Shëndetësisë, këto keqpërdorime nuk do të mund të ndalen përkundër vullnetit institucional.
Hulumtimi gjithashtu nxjerrë në pah se kryesisht në dy vjetët e fundit janë vetëm dy kompani farmaceutike, të cilat kanë fituar tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë, e të cilat kanë ngritur çmimet pa dhënë sqarime.