Arbëri

9 vjet nga marrëveshja e parë me Serbinë, vlerësohen të pakta përfitimet e Kosovës

Këtë të martë janë bërë 9 vite nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, e që mes tjerash parashihte formimin e asociacionit. Njohës të procesit të dialogut thonë se Kosova gjatë këtyre viteve nuk ka përfituar asgjë në krahasim me Serbinë. Por ndryshe mendojnë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë proces. Në Serbi thonë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën varet nga zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit.

Duarthatë vlerësohet se ka mbetur Kosova nga marrëveshjet që ka nënshkruar me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut.

Derisa këtë të martë shënohet viti i nëntë i nënshkrimit të marrëveshjes së parë me Serbinë, njohës të ecurisë së bisedimeve konsiderojnë se Kosova nuk ka përfituar nga kjo krahasuar me Serbinë.

“Nënshkrimi i MSA-së ka qenë ajo karota që BE-ja i ka ofruar Kosovës pas marrëveshjes së 19 prillit. Prej asaj kohe e tutje nuk ka pasur ndonjë avancim tjetër të Kosovës në rrugën e integrimit evropian, kjo edhe për faktin që Kosova nuk njihet nga 5 vendet. Në aspektin e subjektivitetit ndërkombëtar, nuk është që Kosova ka përfituar shumë njohje të reja apo anëtarësim në organizata”, ka thënë Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI.

Rrugën deri në arritjen e kësaj marrëveshjeje nga qeverisja e asaj kohe e konsiderojnë “të gjatë dhe tepër të vështirë”.

Bekim Çollaku, që në prill të 2013-s ishte shef i stafit të kryeministrit Hashim Thaçi, thotë se në ditën e nënshkrimit ka pasur tensione të shumta mes dy ekipeve, derisa tregon arritjet nga marrëveshja.

“Rruga deri tek arritja e marrëveshjes së parë kornizë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë e gjatë dhe tepër e vështirë. Të dy palët apo delegacionet shtetërore kanë kaluar qindra orë të negociatave të vështira, të ndërmjetësuara zyrtarisht nga BE-ja dhe të përkrahura në mënyrë konsistente nga ShBA-ja deri në momentin e arritjes së marrëveshjes. Sigurisht që atë ditë ka pasur shumë tensione brenda ekipeve të dy delegacioneve, mirëpo në fund ka mbizotëruar arsyeja dhe është arritur marrëveshja. Po shikuar në tërësi, pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje janë zbatuar në praktikë duke përjashtuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Qëllimi kryesor i Kosovës për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në planin e brendshëm ka qenë zhbërja e strukturave paralele të sigurisë që vepronin në atë periudhë në Kosovë. Kjo gjë është arritur në tërësi dhe si rrjedhojë ka ndodhur integrimi i tyre në Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera legale të Kosovës. Gjithashtu, kjo marrëveshje ka krijuar bazën për normalizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit brenda sistemit tonë unik të drejtësisë. Në aspektin ndërkombëtar, marrëveshja ka rezultuar në forcim të sovranitetit shtetëror, avancim në agjendën evropiane, njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Për moszbatimin e marrëveshjes së 13 prillit është ankuar shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se zbatimi i saj është kusht i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

“Nëse duam paqe dhe stabilitet, atëherë duhet që ta kemi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Fakti që Kurti nuk dëshiron jo vetëm që ta zbatojë këtë marrëveshje, porse përditë edhe flet hapur se si kjo marrëveshje kurrë nuk do të zbatohet, në njërën anë tregon se sa jemi munduar që t’ia sigurojmë popullit serb pikërisht një marrëveshje të këtillë që është një ujdi e mbrojtjes së interesave kombëtare serbe, ngase sa herë që Kurti diçka kritikon do të thotë se ajo është e mirë për popullin serb”, ka deklaruar Petkoviq.

Në 9-vjetorin e marrëveshjes së parë kanë reaguar nga Vetëvendosje, duke thënë se ajo ka cenuar Kushtetutën dhe se tash kur kanë ardhur në pushtet iu ka dalë punë me të.

“Këto ishin negociatat me Serbinë pa parime e pa transparencë e që i bënë aq shumë dëm Pavarësisë së Kosovës, e cila tashmë ishte shpallur mbi kompromiset e shumta me Pakon e Ahtisaarit. Kjo është edhe trashëgimia që na lanë pas në këtë dialog: ne, opozita e dikurshme që protestonte kundër Pakos së Ahtissarit me decentralizim etnik, sot në Qeveri duhet ta mbrojmë Kosovën (me gjithë Pakon e Ahtissarit) nga asociacioni njëetnik”, kanë thënë nga VV-ja.

Më 19 prill të 2013-s, kryeministri i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi, e ai i Serbisë, Ivica Daçiqi, nënshkruan marrëveshjen e parë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Marrëveshja ndër tjerash parashihte formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shuarjen e strukturave paralele e integrimin e serbëve në organet e drejtësisë.