Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, në një fjalim të sotëm, e ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se do të japë përgjegjësi për menaxhimin e situatës me turqit e deportuar, raporton KTV.
Ai e ka kritikuar atë për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së, dhe i ka ftuar kosovarët të protestojnë kundër tij.
Tutje, Erdogan, në fjalimin e tij, e ka quajtur kryeministrin Haradinaj “kukull”, litarët e të cilit i lëvizin të tjerët.
“Karriera e kryeministrit të Kosovës do të merr fund”, parashikon Erdogani.
“Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë, vend i cili mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe ti për këtë. Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di, do të kërkojnë llogari prej teje për këtë. Unë e di edhe këtë”, deklaroi Erdogan, raporton Koha.net.
Presidenti Erdogan gjithashtu duke folur për kreun e organizatës terroriste, tha se “edhe ai që ka ikur në Pensilvani është në telashe. Thotë ‘Çfarë do të ndodhë me mua?’. Çka ndodhi me ata në Kosovë do të ndodhë edhe me ty”.