Gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk kanë shkuar në Presidencë për ta dhënë betimin, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Më 17 tetor 2017, Zyra e Presidentit ishte e gatshme të presë ardhjen dyzet e dy (42) gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë (14) prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDekretimi i gjyqtarëve serbë me “betim neutral”
Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.
Sipas komunikatës nga Zyra e Presidencës thuhet se gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk kanë shkuar për t’u betuar, pasi janë penguar nga Republika e Serbisë, me qëllim që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor e prokuroria të Kosovës.
“Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se, “njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim te Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi”.
“Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt”, përfundon komunikata.