Qytetarë të Obiliqit dhe zyrtarë të kësaj komune janë ankuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për ndotje të ajrit jashtë vlerave të lejuara. Ata kanë thënë se që nga 20 gushti janë duke u përballur me sasi të shtuar të tymit dhe të pluhurit, e që kanë ndikim edhe në shëndetin e tyre. Në Korporatën Energjetike nuk kanë dhënë përgjigje mbi ankesat e shprehura nga qytetarët e prekur
Me të rënë mbrëmja, Ali Previshi, qytetar nga Komuna e Obiliqit, thotë se filtrat në termocentralet e Korporatës Energjetike (KEK) shkyçen dhe ajri për ta bëhet padurueshëm i papastër.
Ai dhe bashkëqytetarë të tjerë të tij ankohen se ka disa javë që tymi dhe pluhuri që nxirren nga oxhaqet e termocentraleve të KEK-ut janë shumë më të dendur.
“Në mbrëmje i shkyçin filtrat krejt. Kanë problem me to, i shkyçin krejt. Me shku hiri përpjetë më lehtë... Në mëngjes vërehet pluhuri në tavolinë, e fshin me grusht”, thotë ai.
E qytetari Bashkim Zeqiri thekson se ndotja e ambientit ka marrë përmasa të padurueshme.
“Ndotje të madhe të ajrit ka pasur, temperaturat pak të larta, rënia e blloqeve, sistemi duhet të hyjë ja me mazut, ja me naftë dhe aty... vjen deri te ndotja e ambientit”, shprehet ai.
Ndotja që është shkaktuar sidomos gjatë ditëve të fundit, sipas qytetarit Ismet Bërbatovci, ka pasur ndikim të madh edhe në shëndetin e banorëve.
“Sot e dje ka ra pluhur i madh sikur me e qitë me dorë, aq pluhur i madh. Fshij, prapë binte. Nuk e di se çka ka ndodhur kështu. Hiç më larg se sot e pashë që më shtrëngoi (gjoksi) se pluhur, e kam bërë njëfarë moshe, i kam bërë vjetët edhe s’po e don”, thotë Bërbatovci.
Shqetësime se ajri i ndotur i ka tejkaluar parametrat e lejuar kanë shprehur edhe në Komunën e Obiliqit. Abdurrahman Krasniqi, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit në Komunë, ka thënë se në rast se vazhdohet me këtë situatë, Komuna do të ndërmarrë masa konform ligjeve në fuqi.
“Ne e kemi monitoruar nga data 20 deri më tash, nuk ka ndryshime, ndotja është e lartë ndërsa në këto dy ditët e fundit është e njëjta situatë, ndodhet edhe në ‘Kosovën A’. Jemi shumë të shqetësuar si komunë për banorët dhe qytetarët tanë që jetojnë aty”, ka theksuar ai.
Për ndryshimet në nivelin e ndotjes, KOHA ka kërkuar sqarime në Korporatën Energjetike të Kosovës, porse nuk ka marrë përgjigje.
Egzona Shala, aktiviste e mjedisit dhe drejtoreshë e organizatës “Eco Zone”, është shprehur se lirimi i gazeve nga termocentralet Kosova A dhe B në Obiliq ka ndikim të ngjashëm në shëndet edhe te qytetarët në Fushë-Kosovë si dhe në Prishtinë.
“Është një dallim shumë interesant në bazë të statistikave dhe matjes së cilësisë së ajrit se afektohet më shumë zona e cila është pak më larg sesa burimi, për shkak të oxhakut dhe për shkak të erërave. Në këtë rast i bie që Komuna e Fushë-Kosovës dhe ajo e Prishtinës të cilësohen si komunat më të afektuara prej ndotjes së mjedisit në përgjithësi”, ka thënë Shala.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit shkakton sëmundje në frymëmarrje dhe të tjera, si dhe ndikon në vdekje të parakohshme.