Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka thënë se Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media është përpjekje për t’i kontrolluar mediat online.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Kusari ka thënë se një propozim i tillë nënkupton që mediat, të cilat publikojnë video, nuk do të rregullohen me sistemin e vetërregullimit, por do t’i kalojnë për rregullim shtetit.
“Çka ka ndodhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media është që kemi një propozim për ndryshim rrënjësor të mënyrës se si rregullohet, që nënkupton mediat online, ato që publikojnë video, tashmë nuk do të rregullohen me sistemin e vetërregullimit, por do t’i kalojnë për rregullim shtetit. Mënyra se si do të bëhet kjo është se ato do të duhet të regjistrohen në KPM, regjistrimi është formë e lejeve dhe licencave. I bie që kompetencën që e ka një institucion tjetër, t’i merret dhe t’i mëveshët shtetit. Unë po e shoh si problematik, pra përpjekje për t’i kontrolluar mediat online”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Komisioni i Pavarur i Mediave nuk është i pavarur. Kusari ka shtuar se KPM-ja nuk ka kapacitet t’i monitorojë televizionet dhe radiot e regjistruara, edhe më e vështirë do të ishte po t’i shtoheshin edhe qindra portale.
“Ky ligj pra e ka bërë obligative nënshtrimit të rregullativës së KPM-së. Komisioni i Pavarur për Media e ka një problem më madhor që është mungesa e buxhetit dhe burimeve njerëzore. Ato media, televizione dhe radio që janë të regjistruara duhet të monitorohen në bazë të ligjit. Ato nuk ka mundësi KPM-ja t’i monitorojë, e tani t’i shtohen qindra portale. Nëse një media online shpërndan gjuhë të urrejtjes, bën thirrje për vrasje etj, është kodi penal, janë gjykatat, kompenzimi i dëmit, agjencia për informim dhe privatësi, ka mjaftueshëm mekanizma për t’u siguruar që një media online jep përgjegjësi nëse bën shkelje. Shpresoj që nuk ndodh që KPM-ja t’i mbikëqyrë mediat online, nuk ka kapacitet, nuk ka mundësi, absolutisht asgjë nuk arrihet”, është shprehur ajo.