Arbëri

Serbia nuk përgjigjet në kërkesën për hapjen e arkivave

Që prej korrikut e këndej nuk është mbajtur asnjë takim mes grupeve përkatëse të Kosovës e Serbisë për personat e zhdukur nga lufta e fundit, shkaku i refuzimit të palës serbe. Sipas një raporti të Qeverisë, të cilin e ka parë KOHA, Serbia nuk ka ofruar asnjë përgjigje as në kërkesën për hapjen e arkivave të ushtrisë lidhur me krimet e “Brigadës së Motorizuar 37”. Në organizatat që merren me çështjen e të zhdukurve thonë se deri më tash nuk është shënuar ndonjë rezultat as sa i përket zbatimit të marrëveshjes

Dakordimi i arritur me Serbinë për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë është shoqëruar me ngecje të shumta në zbatim, konstaton një raport i Qeverisë për çështjen.

Zgjidhja e problemit qe konsideruar me urgjencë në Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe në Aneksin për zbatimin e saj, të arritur në Ohër më 18 mars.

Por pas miratimit të Deklaratës së përbashkët më 2 maj të këtij viti, të gjitha takimet mes grupeve punuese janë ndërprerë që prej korrikut.

“Çështja e personave të zhdukur me forcë është adresuar si çështje prioritare në dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Është adresuar si çështje e natyrës urgjente edhe në Aneksin Zbatues (18 mars 2023 në Ohër) te Marrëveshja për Normalizim (27 shkurtit 2023 në Bruksel). Takimet e rregullta janë mbajtur deri në muajin korrik, kur nga pala serbe janë anuluar të gjitha takimet e nivelit profesional, përkatësisht të mekanizmave që funksionojnë në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur”, thuhet në raport.

Takimet ishin anuluar pasi autoritetet ia ndaluan hyrjen në Kosovë kryetarit të Komisionit serb për të pagjeturit, Veljko Odalloviq.

E pala serbe deri tash nuk i është përgjigjur as kërkesës së Kosovës për qasje në arkivat shtetërore për identifikimin e lokacioneve ku dyshohet se janë varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

“Në zbatim të zotimeve të Deklaratës, kryesuesi i Komisionit më datë 1 qershor 2023 ka adresuar edhe kërkesën për qasje në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave , përkatësisht në të dhënat për ‘Brigadën e Motorizuar 37’” .

Kryesuesi i Komisionit qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, thotë se

pavarësisht dakordimit në Bruksel, pala serbe asnjëherë nuk tregoi gatishmëri për bashkëpunim.

“Në nëntor të këtij viti është arritur njëlloj dakordimi mes Kosovës dhe Serbisë për të formuar Komisionin e Përbashkët dhe ne po shpresojmë, që nëse nuk ndryshon diçka, më 31 janar është paraparë takimi i radhës i grupit punues mes Kosovës e Serbisë. Pse mund të jetë sfiduese kjo është se secili qytetarë e din se Serbia e ka të vështirë t’i pranojë gjithë ato krime që i ka bërë. Fuqia jonë politike për të marrë këto informacione nga Serbia është e pamjaftueshme .... prandaj është e domosdoshme ndërhyrja e partnerëve BE-së, ShBA-së e Britanisë së Madhe”, ka thënë Hoti.

Në Fondin për të Drejtën Humanitare theksojnë të mos kenë parë ndonjë rezultat as në funksion të zbatimit të marrëveshjes për të zhdukurit.

“Ka pasur zhvillime sa i përket hulumtimit të terrenit edhe zhvarrosjes së trupave në lokacione të ndryshme në Kosovë, mirëpo nuk besoj se kjo ka qenë si rezultat i zbatimit të marrëveshjes. Pra deri më tani nuk kemi parë ndonjë zhvillim pozitiv si rrjedhojë e marrëveshjes, nuk kemi informata që Serbia apo cilado palë ka i ka hapur arkiva dhe i ka bërë të qasshme për palën tjetër në mënyrë që zbardhet fati i personave të zhdukur”, ka deklaruar Berkim Blakaj nga FDH.

Bazuar në dokumentin qeveritar, sivjet janë bërë gërmime në 15 lokacione në Kosovë. E në territorin e Serbisë gërmime pati veç në Shtaval.