Arbëri

Rama e falënderon Scholzin për “ripërtëritjen” e Procesit të Berlinit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka falënderuar kancelarin gjerman Olaf Scholz për “ripërtëritjen” e Procesit të Berlinit, duke thënë se është platforma kryesore për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor. Rama ishte inicues i një nisme tjetër, asaj të "Ballkanit të Hapur", por që s'pati shumë sukses. 

Me rastin e Kongresit të Partisë Socialdemokrate në Gjermani, Rama ka thënë se Procesi i Berlinit është vetëm një nga sukseset e Scholzit në Ballkan, duke shtuar se Shqipëria do të mbetet e përkushtuar ndaj atij procesi.

“Me rastin e Kongresit të SPD-së në Berlin, falënderoj sinqerisht kancelarin Olaf Scholz për udhëheqjen e tij. Ripërtëritja e Procesit të Berlinit është vetëm një nga shumë sukseset e miqve dhe aleatëve tanë në Berlin. Shqipëria do të mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi si platforma kryesore për bashkëpunimin e nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Rama në “X”, që njihej më parë si Twitter.

Pjesë e Kongresit është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që u takua me kancelarin Olaf Scholz të shtunën.

Rama bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin marrë iniciativë për nismën “Ballkani i Hapur”. Por mungesa e gjithëpërfshirjes nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, me Kosovën që refuzoi të jetë pjesë e saj, dhe zbehjen e asaj nisme, tashmë sytë janë kthyer kah Procesi i Berlinit.

Shqipëria ishte nikoqire e fundit e Procesit të Berlinit që u mbajt muajin e kaluar.