Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit është përfshirë si referencë qendrore edhe në dokumentet qeveritare që trajtojnë mënyrën e ballafaqimit me sulmet e tilla në të ardhmen. Sipas versionit të rishikuar të Planit të Reagimit Kombëtar, akti terrorist në Banjskë ka nxitur risi të vazhdueshme në operacionet e reagimit dhe ka theksuar nevojën për avancim të mëtejshëm në ngritjen e kapaciteteve për t’iu përgjigjur atyre
Ballafaqimi me sulmet terroriste sikurse ai i Banjskës më 24 shtator, synohet përmes rritjes dhe avancimit të kapaciteteve të sigurisë. Sulmi nga i cili mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës, është marrë si referencë në rishikimin e Planit të Reagimit Kombëtar (PRK), që pritet të miratohet nga qeveria.
Versioni i rishikuar i këtij plani, mes tjerash, përfshin mësimet e nxjerra, me qëllim rritjen e shkallës së parandalimit dhe ballafaqimit me sulme e tilla.
“Shkalla e paprecedentë e fatkeqësive dhe incidenteve si ky i fundit në veri të vendit (akti terrorist në fshatin Banjska, më 24 shtator 2023), ka nxitur risi të vazhdueshme në operacionet e reagimit dhe ka theksuar nevojën për përparim/avancim të mëtejshëm për të ndërtuar kapacitete elastike dhe të qëndrueshme për t’iu përgjigjur fatkeqësive me frekuencë dhe përmasa në rritje. Ky version i rishikuar i PRK-së përfshin mësimet e nxjerra nga këto fatkeqësi dhe incidente dhe ndan përvojat më të mira në zhvillim”, shkruan në dokument.
Dokumenti përmend kapacitetet e kërcënuesve të sigurisë
Në dokument vihet theksi edhe te kapacitetet e avancuara të kundërshtarëve të mundshëm që përbëjnë rrezik për sigurinë e vendit.
“Strategjia e Sigurisë e Kosovës vë në dukje se kundërshtarët e mundshëm po zhvillohen me kapacitete dhe aftësi të avancuara ne armatim dhe pajisje përmes luftës inteligjente dhe hibride, që mund ta kërcënojnë infrastrukturën kritike të vendit tonë. Sfidat mbi dhe përtej atyre të krijuara nga tërmetet, rreziqet e tjera natyrore si dhe incidentet kriminale-terroriste”, thotë dokumenti.
Plani i Reagimit Kombëtar është plani themelor operativ për menaxhimin e incidenteve. Ai vendos strukturat, proceset dhe protokollet koordinuese të nivelit kombëtar, të cilat do të inkorporohen në planet e caktuara gjithëpërfshirëse e specifike për incidente të të gjitha llojeve, të cilët janë të destinuar për implementimin e autorizimeve dhe përgjegjësive specifike statusore të ministrive dhe agjencive të ndryshme në skenarët e veçantë.
“Këto plane janë të lidhur me PRK-në në kontekst të Incidenteve me Karakter Kombëtar, por mbesin si dokumente të pavarura në faktin se ofrojnë protokolle të hollësishme për reagim ndaj incidenteve rutinore, të cilat normalisht menaxhohen nga agjencitë qeveritare, pa nevojën koordinuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, shkruan në Plan.
Banjska si referencë
Njohës të sigurisë thonë se pas sulmit të fundit, qeveria duhet ta rrisë konsolidimin mes institucioneve të vendit.
“Rasti i Banjskës është një ngjarje, një rast që duhet të shërbejë si një pikë referuese për qeverinë e Kosovës dhe për qeveritë në të ardhmen që të kenë kujdes të shtuar, fillimisht për Policinë e Kosovës në kuptimin logjistik, edhe në kuptimin e pagave, në kuptimin e kushteve e pajisjeve që të jenë në nivel të lartë. Pastaj qeveria duhet të ndërmarrë hapa dhe të veprojë ashtu që sistemi i sigurisë të konsolidohet më tepër në kuptimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve mes shërbimeve, përkatësisht institucioneve dhe nëse veç ka ndonjë nevojë, zbrazëtirë juridike në kuptimin e ndonjë dokumenti përkatësisht akti juridik që rregullon më mirë dhe më efikas bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të shërbimeve të sigurisë”, ka thënë ligjëruesi i sigurisë, Fatmir Çollaku.
Sipas dokumentit qeveritar, ministri i Punëve të Brendshme është përgjegjës për koordinimin e operacioneve qeveritare brenda vendit për t’u përgatitur, reaguar dhe rimëkëmbur nga incidentet. Në këtë cilësi, ministri gjithashtu është përgjegjës për koordinimin e resurseve qeveritare të përdorura në reagim dhe rimëkëmbje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.
“Roli i saj përfshin koordinimin e strukturave dhe proceseve për incidentet që kërkojnë: Mbështetjen qendrore për organet shtetërore dhe lokale; Mbështetjen ndërinstitucionale të nivelit qendror; Ushtrimin e autorizimeve dhe përgjegjësive të drejtpërdrejta qendrore, sipas ligjit; dhe Integrimin e sektorit privat dhe publik në menaxhimin e incidenteve”, shkruan në dokument.
Aty roli u përshkruhet edhe dikastereve të tjera. Kësisoj, Ministri i Mbrojtjes autorizon mbështetjen e FSK-së për autoritetet civile për incidentet vendore. Komandanti i FSK-së ruan autoritetin e komandimit të FSK-së në të gjitha situatat dhe operacionet. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka përgjegjësi të koordinimit ndërkombëtar.
Me dokument parashihet edhe Qendra Operative e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (QOAME), e cila siguron koordinim të përgjithshëm të reagimit qendror për incidentet me karakter kombëtar dhe zbatim të programit të menaxhimit të emergjencave.
“Qendra monitoron incidentet e mundshme apo në zhvillim të karakterit kombëtar dhe mbështet përpjekjet e komponentëve rajonale dhe fushore. Funksioni i QOAME-së në mbështetje të planifikimit dhe koordinimit të operacioneve të menaxhimit të incidenteve përfshinë: Gjatë reagimit ndaj ngjarjes terroriste, veprimet e zbatimit të ligjit për grumbullimin dhe ruajtjen e provave dhe kapjen e autorëve të krimit janë jetike. Këto veprime ndodhin paralelisht me operacionet e reagimit të domosdoshëm për shpëtimin e jetës dhe mbrojtjen e të mirave materiale dhe koordinohen ngushtë me përpjekjen për zbatimin e ligjit, për të ndihmuar grumbullimin e provave pa ndikuar në operacionet në zhvillim për shpëtimin e jetës”, shkruan në dokument.
Roli i institucioneve jashtë sektorit të sigurisë
Sipas Çollakut, veç institucioneve të sigurisë, do të mund të kontribuonin edhe ato që nuk e kanë mandat në këtë aspekt.
“Si për shembull dogana e cila nuk e ka mandat sigurinë, por mund të kontribuojë në kuptimin e identifikimit të dërgesave të dyshimta, ekspozeve të ndryshëm dhe në përgjithësi mund të kontribuojë në fushën e sigurisë. Pra jo vetëm në aspektin logjistik, material, fizik dhe tjetër, por në aspektin e infrastrukturës ligjore duhet të konsolidohet Qeveria e Kosovës që në rastet e tilla të sfidohet suksesshëm në kuptimin që të përballojë këto sfida dhe këto kriza dhe të garantohet siguria si njëri nga parakushtet për jetë normale të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Çollaku.
Rol në dokument u është dhënë edhe organizatave joqeveritare dhe vullnetare. Ato duhet të bashkëpunojnë me reaguesit e parë, pushtetin e të dyja niveleve, agjencitë dhe organizatat e tjera që ofrojnë shërbime ndihmash për mbështetjen jetësore, zvogëlimin e dhimbjeve fizike dhe emocionale dhe përkrahin rimëkëmbjen e viktimave të fatkeqësisë, kur ndihma nuk është e mundshme nga burimet e tjera.
Sa i përket sektorit privat, agjencitë parësore dhe mbështetëse koordinohen me këtë sektor për shkëmbimin efektiv të informacioneve, formimin e kurseve të veprimit dhe përfshirjen e resurseve në dispozicion për të parandaluar, përgatitur, reaguar dhe rimëkëmbur nga Incidentet e Karakterit Kombëtar.
“Ministri i Punëve të Brendshme shfrytëzon grupin këshillues të sektorit privat, me prezencë të gjerë, për të siguruar këshilla në çështjet e menaxhimit të incidenteve dhe reagimit emergjent, që godasin fushëveprimin e tyre. Rolet, përgjegjësitë dhe pjesëmarrja e sektorit privat gjatë Incidenteve të Karakterit Kombëtar, ndryshon bazuar në natyrën e organizimit, llojit dhe efektit të incidentit”, thotë dokumenti. “Partneriteti i fuqishëm me grupet dhe organizatat qytetare, siguron mbështetje për parandalim, gatishmëri, reagim, rimëkëmbje dhe lehtësim të menaxhimit të incidenteve”
E Këshillat Lokalë për Siguri në Bashkësi zbatojnë programet e vetëdijesimit të qytetarëve, që përfshijnë ngritjen e Ekipeve të Komunitetit për Reagim Emergjent (EREK)”.
Sipas Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës (KSK), ky organ ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe kontributin e tij për stabilitetin rajonal. KSK-ja, sipas dokumentit, rekomandon politika dhe strategji për sigurinë dhe ofron informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë në Kosovë, që t’i mundësojnë Qeverisë së Kosovës marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me çështjet e sigurisë.
Prioritet siguria
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti tha se prioritet i Kosovës është siguria dhe se në këto rrethana s’mund të mendohet për normalizimin e raporteve me Serbinë.
“Siguria e nënkupton që kriminelët, terroristët, nuk duhet të jenë të lirë siç fatkeqësisht po ngjan në Serbi, ndërkaq kufiri i Kosovës i cili është 381 kilometra vetëm në pjesën me Serbinë, duhet të jetë i sigurt, andaj për mbrojtjen dhe ruajtjen e tij po angazhohemi me institucionet tona të sigurisë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë”, tha Kurti të premten pas takimit me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni.
Edhe pas sulmit në Banjskë, Serbia e afroi ushtrinë përreth kufirit me Kosovën. Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, Kryetari i Republikanëve serbë Nikola Sanduloviç tha në një intervistë për “Balkan Talks” se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po përgatitet për një konflikt të armatosur në Kosovë.
“Kalkulimet që tani kemi në skenë janë shkak i pasojave në të ardhmen. Unë gjithmonë me kohë theksoj ato që mund të implementohen përmes hapave të ardhshëm të këtij pushteti. Ajo që është shumë e rëndësishme, dhe fatkeqësisht u tregua e vërtetë, është se Vuçiqi edhe më tej ka kontroll absolut mbi serbët në Kosovë. Serbët janë tani në një etapë të përgatitjeve, përsëri e theksoj, nuk do të doja që të dalë e vërtetë dhe nuk do të doja që kontaktet e mia që i kanë ndarë këto informata me mua ta kenë të drejtë, por ai po përgatitet që përsëri të shkaktojë një tjetër kaos”, ka thënë Sanduloviq.
Sulmin në Banjskë e dënoi BE-ja e SHBA-ja, por pavarësisht prezantimit të fakteve nga qeveria e Kosovës për përfshirjen e Serbisë, përgjegjësia nuk i është faturuar këtij shteti. Edhe sulmuesit në krye me Milan Radojçiqin, janë strehuar në Serbi.