Arbëri

Hoxhaj: BE-ja rrezikon të krijojë precedent të rrezikshëm për Kosovën

Taulant Hoxhaj, drejtor i Fondacionit për Shoqëri Civile, ka thënë se ka një numër pasojash për Kosovën nga propozimi i Komisionit Evropian për përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në liberalizimin e vizave.

Ai ka theksuar se argumenti i BE-së për këtë propozim është i pamjaftueshëm.

“Duke i njohur këto dokumente BE-ja rrezikon ta bëjë një precedent të rrezikshëm për ne që i legjitimon pretendimet territoriale të Serbisë. Drejtoria Koordinuese nuk ka pushtet efektiv në Kosovë që të mund t’i vërtetojë vërtetësinë e këtyre të dhënave dhe e sfidon integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës”, ka thënë ai.

Në emisionin “60 Minuta”, Hoxhaj ka shtuar se duhet të ngritët si problematikë dhe të diskutohet para se të aprovohet ky propozim.

“Besoj se në BE janë mjaftueshëm shtete të vëmendshme që do t’i trajtojnë argumentet tona”, ka thënë ai.

“Nuk shoh mënyrë për ta arsyetuar këtë vendim, argumenti i vetëm është këta qytetarë do jenë të vetmit që do mbesin pa liberalizim të vizave. Ky argument ka qenë për qytetarët e Kosovës me vite. Është argument që nuk e përballon një diskutim racional, nëse diskutohet jemi optimistë se nuk do të kalojë tutje”.

Në një letër dërguar komisioneres evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson dhe zyrtarëve të tjerë të BE-së, 21 organizata të Shoqërisë Civile kanë kërkuar që ky propozim të tërhiqet. Në letër thuhet se ky propozim vjen në kohën kur qytetarët serbë të Kosovës kanë filluar që masivisht të aplikojnë për pasaporta të Kosovës, duke ushtruar të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë.

Komisioni Evropian të enjten u ka propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian t’i heqë vizat mbajtësve të pasaportave serbe që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme kryesisht për serbët e Kosovës.

Në këto pasaporta, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime të Serbisë.