Arbëri

Paralajmërohet vazhdimi i dialogut “në ditët dhe javët në vijim”

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se planifikon që bisedimet të vazhdojnë “në ditët dhe javët në vijim”. Duke përmbledhur punën e tij këto ditë, dhe duke përmendur takimet që pati me kryenegociatorët të enjten, Lajçaku ka shkruar në Facebook se pret rezultate të shpejta.

“Të enjten, kam pritur dy kryenegociatorët në Bruksel. Kemi diskutuar disa çështje – Statutin, planin e zbatimit, energjinë, targat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur. Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në sërë çështjes në agjendën tonë të dialogut dhe pres veprime pasuese shpejt. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim”, ka shkruar ai.

Lajçaku po ashtu ka folur për takimin që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Sebri. Ka thënë se kanë diskutuar për vazhdimin e përpjekjeve për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes bazë.

“Ngjashëm sikur diskutimet tona në Kosovë, po ashtu kemi adresuar edhe çështje të tjera urgjente në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar nevojën për zgjidhje urgjente në përgatitjen e takimit të kësaj jave të kryenegociatorëve. Në bisedat tona, kam theksuar se implementimi i Marrëveshjes duhet të bëhet me të dyja palët duke kryer obligimet e tyre përkatëse hap pas hapi në formë paralele dhe të bazuar në parimin që secila palë duhet të bëjë diçka që të marrë diçka”, ka shkruar ai për takimin në Serbi, që i parapriu diskutimeve në Bruksel.

Pas takimeve në Bruksel të enjten, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u shpreh se në takimin me Lajçakun, nuk është diskutuar për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi, siç ka thënë ai, pozicioni i Kosovës është bërë i qartë që më 26 tetor nga kryeministri Albin Kurti, në takim me liderët evropianë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan veç e veç me Lajçakun gjatë ditës në Bruksel, por nuk pati një takim të përbashkët mes tyre. Bislimi ka thënë se Lajçaku mendon se janë shumë afër nënshkrimin të marrëveshjes për energjinë. E ka dhënë javën e ardhshme si afat të fundit.

E, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi edhe në territorin e Kosovës, të cilat janë caktuar për datën 17 dhjetor. Sipas tij, në takimin e së enjtes në Bruksel kanë biseduar për drafstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për energjinë dhe, po ashtu, për temën e të pagjeturve.