Arbëri

Takimi Bislimi-Petkoviq, Muhaxhiri: Pritet diskurs më agresiv ndaj Kosovës

Rezultate nga takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, nuk priten të nxirren. Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se parakushtet nuk janë shumë premtuese për të pasur rezultate pozitive.

Muhaxhiri ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën e as Serbinë pa i sqaruar problemet historike që i kanë, dhe arritjen e marrëveshjes mes tyre.

“Nuk është se ka indikacione pozitive, kryeministri e përmendi se pa ardhur njohja de facto nuk mund të ketë avancim në aspektin e Asociacionit, dhe edhe pala serbe është në periudhë parazgjedhore dhe është e pritshme që diskursi të jetë më agresiv sidomos në raport me Kosovën sepse kjo sjell vota”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka thënë se Kosova duhet ta kërkojë maksimumin nga pranimin i Asociacionit.

“Duhet të ketë hapa drejt njohjes nga pesë vendet, anëtarësimi në institucione ndërkombëtare, ndihma financiare, sepse në të kundërt nuk do të kishte kuptim një kompromis i tillë pa përfitime nga ana e Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se me draftet e Asociacionit është bërë lojë e panevojshme, pasi Qeveria do të mund ta qartësonte të gjithë situatën me publikimin e atij real.

“Është bërë një lojë pak bizare me draftet e Asociacionit sepse të gjitha do të mund të anashkaloheshin nëse Qeveria do ta publikonte. Nuk e kuptoj pse nuk publikohet, nuk është formulë për bombë atomike”, ka deklaruar Muhaxhiri tutje.

Sipas Muhaxhirit, heqja e sanksioneve ndaj Kosovës varet nga mënyrë e qasjes së kryeministrit Albin Kurti. Ai ka thënë se Kurti duhet të jetë më këmbëngulës dhe i sigurt në vendimet që merr.

“Duhet të ketë siguri në bashkëpunimin e tij. Ndonjëherë Kurti e bën një hap para, një hap prapa, dhe kjo krijon frikë në Bruksel, Paris, Berlin, për hapat e mëtejmë. Sikur Kurti të ishte më këmbëngulës dhe më i sigurt në vendimet që duhet t’i marrë, me siguri se masat do të largoheshin”, ka thënë ai.