Sveçla për sulmin në Banjskë: Plan i punuar ushtarakisht, një grup tjetër do të futej në Leposaviq (Mund ta lexoni më poshtë)
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se posedon informata inteligjente se grupe të tjera janë duke u trajnuar në Serbi për sulme të mundshme ndaj Republikës së Kosovës.
I ftuar në “60 Minuta” të KTV-së, një muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku në sulmin në Banjskë, Sveçla ka thënë se pjesë e këtyre sulmeve që pritet të ndodhin përveç Milan Radoiçiqit, do të marrë pjesë edhe Zvonko Veselinoviq.
Ai ka njoftuar se këto grupe po trajnohen nëpër bazat e ushtrisë përreth kufirit me Kosovën.
“Kemi informata inteligjente se grupe të tjerra janë duke u trajnuar, se jo vetëm Radoiçiqi por edhe Veselinoviq do të jenë pjesë e sulmeve të ardhshme nëse ne do t’i lejojmë të ndodhin ato, me të vetmin qëllim që të shkaktojnë një situatë të re në terren ku pozicioni i Serbisë do të përmirësohej në raport me qëllimin e tyre për ta shkatërruar Kosovën”, ka thënë Sveçla.
Ministri i Brendshëm ka shtuar se Kosova do t’i përmbushë të gjitha procedurat, duke kërkuar ekstradimin dhe gjykimin e Radoiçiqit para drejtësisë në Kosovë.
“Jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj atyre që e kanë planifikuar këtë sulm ndaj sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës, ne nuk do të ndalemi me kaq”, ka shtuar ai.
Sveçla ka thënë se përgjegjës për atë se çfarë ka ndodhur në Banjskë më 24 shtator është shteti i Serbisë, Qeveria dhe Presidenti serb.
“Ata kanë bërë planifikimin, rekrutimin, trajnime, kanë bërë armatimin dhe kanë sjellë deri në kufi këtë grup terrorist që ka qenë vetëm një valë e terroristëve të planifikuar të futen në Kosovë. Po ashtu ka qenë një grup tjetër brenda Kosovës”, ka thënë ai.
Sveçla për sulmin në Banjskë: Plan i punuar ushtarakisht, një grup tjetër do të futej në Leposaviq
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se plani për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ishte i punuar ushtarakisht dhe kishte për qëllim aneksimin e komunave veriore, derisa ka dhënë detaje të reja për të.
Sipas Sveçlës, Banjska ishte pikëtakimi i anëtarëve të grupit terrorist, të cilët, siç thotë ministri, do të shtriheshin në Zveçan e Mitrovicë të Veriut. Sveçla ka zbuluar se po të shkonte plani i grupi paraushtarak serb deri në fund, një grup tjetër do të futej nga kufiri serb në Leposaviq.
“Qëllimi i tyre fillestar ishte të gjejnë korridor të sigurt, janë nisur nga Izvoci bashkë me një rrugë paralele kodrinore në Banjskë dhe do të shtriheshin deri në Zveçan e Mitrovicë të Veriut. Banjska ka qenë veç një vendgrumbullim. Këta nuk janë futur menjëherë të gjithë, janë futur grupe-grupe që në orët e mbrëmjes. Pika e takimit ka qenë Banjska. Është një plan i punuar ushtarakisht. Do të vendoseshin në Zveçan dhe Mitrovicë. Do të takoheshin me pjesëtarët tjerë në Zubin-Potok. Ndërsa kemi informata se një grup tjetër do të futej në Leposaviq nga kufiri serb. Inteligjenca jonë janë shumë të afërt me numrin e këtij grupi, por s’mund ta them”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Sveçla ka deklaruar se kanë identifikuar disa prej pjesëmarrësve në sulm, por duhet bashkëpunim i ndërkombëtarëve dhe presion ndaj Serbisë për ta zbardhur rastin në tërësi.
“Janë identifikuar disa prej pjesëmarrësve. Kemi bërë disa bastisje në shtëpitë e atyre që kanë jetuar në Kosovë. Ka numër të caktuar që s’janë shtetas të Kosovës, dhe identifikimi do të jetë më i vështirë. Duke punuar me ndërkombëtarët dhe duke i bërë presion Serbisë, duhet ta detyrojmë që të zbardhet plotësisht rasti”, ka thënë ai.
Ministri i Brendshëm tutje është shprehur se njëri nga të arrestuarit për sulmin në Banjskë është teknik medicinal në një nga komunat veriore. Kjo dëshmon, sipas Sveçlës, se Serbia e ka kriminalizuar sistemin shëndetësor.
“Sistemi shëndetësor më së paku mbikëqyret për veprimet kriminale. Edhe me pakon e Ahtisaarit, e kanë një far lloje autonomie. Prandaj, e kanë shfrytëzuar këtë derë për ta futur të gjithë atë armatim”, ka shtuar ai.
Sveçla ka theksuar se institucionet e sigurisë janë duke bërë “hetimin më të madh në historinë e Kosovës” për sulmin terrorist në Banjskë. Është shprehur se nuk do të habitej nëse në sulm ka rol edhe Manastiri i Banjskës, pasi sipas tij, “Kisha Ortodokse Serbe gjithmonë ka pasur rol destruktiv ndaj paqes në rajon dhe ka qenë pjesë e politikës hegjomoniste të Serbisë”.
Sveçla: Lista Sërpska është organizim kriminal, vazhdon të jetë strumbullar i kriminelëve
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe është organizim kriminal, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë strumbullar i kriminelëve.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Sveçla ka thënë se kjo parti luan rol destruktiv dhe shtypës ndaj qytetarëve serbë në komunat veriore.
“Lista Sërpska është një organizim kriminal, jo vetëm për rolin e saj më 24 shtator, por edhe për rolin e saj destruktiv e shtypës që ka pasur ndaj vullnetit të lirë të pjesëtarëve serbë të shoqërisë në Kosovë. Qytetari me etni serbe nuk ka pasur lirinë e veprimit për shkak të presionit të Listës Sërpska dhe mekanizmave të saj dhe të Serbisë që ka qenë patroni i Listës Sërpska, e vazhdon të jetë. Lista Sërpska deri më tani ka qenë strumbullari i këtyre kriminelëve. Edhe Lista Sërpska edhe Serbia kanë qenë ombrella e tyre politike. Kanë pasur leje të shkelin ligjin, të kontrabandojnë, të bëhen milionerë e të mos themi edhe miliarderë, por kanë pasur për obligim që në vazhdimësi të luftojnë institucionet dhe shtetësinë e Kosovës. Ky ka qenë raporti punëdhënës e punëkryes i tyre me shtetin e Serbisë”, është shprehur ai.
Teksa ka folur për kriminelët në veri, Sveçla ka thënë se ata kanë bashkëpunëtorë shqiptarë.
“Në dosjet e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit, në fillimet e veprimtarisë së tyre kriminale kanë pasur vepra si vjedhje të veturave apo të kasetofonëve të veturave, pra kanë qenë mangupë të lagjes, të udhëkryqit e më pas kanë qenë pjesë e zinxhirit që kanë vjedhur vetura diku tjetër dhe i kanë dërguar në Serbi, një veprimtari kriminale që të lë përshtypjen e krimeve ordinere, e më pas për shkak të luftës së tyre të brendshme janë ngritur e fuqizuar. Patjetër që kanë bashkëpunëtorë shqiptarë, tani ka dalë në modë kjo biznesmenë kontroversë. Edhe ne kemi disa biznesmenë kontraversë që janë kyçur në këto veprimtari të kontrabandës. Radoiçiqi nuk ka mundur të kontrabandojë vetë, pasuria e Radoiçiqit nuk ishte bërë aq e madhe sa është duke e kufizuar veprimtarinë e tij kriminale vetëm në veri të Kosovës”, ka thënë ai.
Sveçla ka njoftuar se 26 rrugë ilegale deri tani janë mbyllur në veri dhe disa të tjera janë identifikuar.
“Ato janë kryesisht në tri komuna, në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviqi që ka vijën më të gjatë, pastaj kemi edhe Podujevën, Kamenicën, Gjilanin e Vitinë. Ka edhe një numër të caktuar të rrugëve që do të mbyllen e që i kemi identifikuar”, ka thënë ai.
Ministri i Brendshëm ka vlerësuar se sistemi gjyqësor në Kosovë është i dobët dhe i ndikueshëm, teksa është pyetur për lirimin në dorëzani të Dejan Pantiqit, i cili akuzohej për sulm ndaj KQZ-së.
“Mendoj se këto janë dobësi të sistemit tonë. Duke qenë i ri, sistemi ynë ka qenë edhe i ndikueshëm. Në vazhdimësi ka bërë lëshime të këtilla, ku një i dyshuar për terrorizëm është liruar në arrest shtëpiak, e tani është liruar fare në dorëzani. Askund në botë nuk mund të gjesh raste të këtilla, ku një i dyshuar për terrorizëm, ku edhe ne vetë jemi viktimë, të njëjtit t’i lirojmë në dorëzani. Kjo është vështirë e besueshme që është rruga e duhur. Në vazhdimësi kemi insistuar që të gjitha institucionet duhet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Republikës pa asnjë dallim. Pantiqi akuzohet për sulm me bombë ushtarake ndaj një prej institucioneve që është fole e demokracisë, që është KQZ-ja”, ka thënë ai.