Arbëri

Opozita nuk i përjashton sulmet tjera, Osmani kërkon koordinim

banjska

Përfaqësues të opozitës e kanë shtruar domosdoshmërinë e një koordinimi më të madh brenda spektrit politik edhe me ndërkombëtarët, për të shmangur sulmet terroriste sikurse ai i së dielës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe disa të tjerë u lënduan. Sipas opozitarëve, sponsorizuese e sulmit është Serbia, gjë për të cilën Kosova duhet të insistojë që ajo të mbahet përgjegjëse

Sulmi terrorist i së dielës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ishte temë diskutimi në takimet që presidentja Vjosa Osmani pati të mërkurën me shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës dhe shefat e partive opozitare në vend.

I pari që i shkoi në zyrë Osmanit ishte kryespiuni Petrit Ajeti, pas të cilit takim nuk pati deklarim për media nga ana e tij.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se pas këtij sulmi duhet koordinim më i madh mes institucioneve vendore e ndërkombëtare. Sipas tij, rreziku për sulme te tjera nuk ka kaluar.

“Është e logjikshme që të bashkëbisedohet në situata të tilla të sigurisë për shkak se rreziku për sigurinë në Kosovë vazhdon edhe më tutje. Pra, është prezent rreziku. Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë bërë punën më të mirë dhe të suksesshme, i përgëzoj për punë të gjithë, por duhet të bëjmë kujdes që vendimmarrësit politikë ta kryejnë punën e vet me sukses. Kështu që përballja me rreziqet sigurisë nuk bëhet duke e bartë krejt përgjegjësinë vetëm te profesionistët. Duhet ndihma politike dhe kurs politik, i besueshëm me aleatët e sigurisë”, ka thënë Haradinaj.

Suksesin e operacionit, Haradinaj ia ka atribuuar bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë vendore e ndërkombëtare. Por kjo, sipas tij, nuk vlen edhe për nivelin politik, duke thënë se Kosovës i duhet bashkëpunimi me aleatët për t’i shmangur situatat e tilla.

Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka shkruar se në takim me presidenten ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”.

“Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm. Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”, ka thënë Abdixhiku.

Në orët e pasdites, Osmani ka takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Nga sulmi i së dielës mbeti i vrarë polici i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku e nga ana tjetër tre sulmues të armatosur. Po ashtu u arrestuan tetë persona, ku katër prej tyre u liruan për mungesë provash. Sulmuesit e tjerë nga ky grup është raportuar se kanë ikur dhe po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Po ashtu është kapur edhe arsenal armësh, që sipas institucioneve të sigurisë janë dhënë nga ushtria e Serbisë.