Arbëri

Musa: Qëllimi i sulmit në Banjskë ishte shpallja e një Republike Sërpska apo autonomi

Avokati Skënder Musa, ka thënë se sulmi i sulmuesve në Banjskë ka qenë i planifikuar mirë me qëllimin që të depërtohet në Mitrovicë të veriut dhe të shpallet ndonjë Republikë Serbe apo autonomi.

Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Musa ka thënë se numri i sulmuesve ka mundur të jetë më i madh se 30.

“Ky sulm ka qenë i planifikuar mirë, gjithçka ka qenë e detajuar dhe qëllimi i tyre ka qenë të depërtojnë në Mitrovicë dhe të shpallin atje ndonjë Republikë Sërpska apo autonomi, thjeshtë ta cenojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Nuk mendoj që kanë qenë 30 persona sepse i kemi parë pamjet e atyre që kanë ikur, numri ka mundur të jetë më i madh dhe ka mjaftuar numri edhe i 30 personave që të kryhet një aktivitet kriminal sepse ata me siguri kanë llogaritur që t’i organizojnë edhe banorët lokalë, për fat të mirë nuk kanë arritur, është zbuluar plani i tyre”, ka thënë ai.

Sipas Musës, ikja e tyre ka mundur të ndodhë si rezultat i ndonjë marrëveshjeje nga institucionet vendore apo ndërkombëtare, me qëllim që pasojat të jenë sa më të vogla.

“Me vetë faktin që janë lejuar të ikin, tregon që nuk kanë pasur ndonjë pengesë nga institucionet e Kosovës që të largohen”, është shprehur ai.

Musa ka vlerësuar se mund të ketë armatim edhe në zonat tjera të populluara me shumicë serbe, për çka nevojitet që faktori ndërkombëtar të bëjë presion për çarmatim.

“Republika e Serbisë përmes këtij grupi kriminal terrorist ka sfiduar edhe fuqinë dhe aftësinë e KFOR-it. Të gjitha mjetet kanë hyrë përmes rrugëve ilegale, të cilat policia dhe ushtria e Serbisë i dinë shumë mirë”, ka thënë ai.

Musa ka thënë se duhet të arrestohen të gjithë priftërinjtë e Manastirit.

“Duhet të arrestohen të gjithë priftërinjtë e Manastirit, është dashur të intervistohet edhe ndonjë pelegrin që ka mund të jetë aty, por gjithsesi stafi i Manastirit duhet të intervistohet. Në këtë rast nuk mundet t’i shpëtojë përgjegjësisë asnjë profesion”, ka thënë ai.