Arbëri

Mediumet serbe: Të paktën dy të plagosur në Banjskë u trajtuan në Novi Pazar të hënën

Të paktën dy serbë që u plagosën në Banjskë të Zveçanit të dielën, kanë marrë trajtimin e parë në spitalin e përgjithshëm të Novi Pazarit dhe më pas janë transferuar në qendra të tjera mjekësore, ka raportuar “N1” në Serbi.

Siç ka raportuar ky medium, dy burra të moshave 26 dhe 29-vjeçare janë parë në kujdesin intensiv të këtij spitali. Njëri ishte pranuar me plagë në krah dhe këmbë, ndërsa tjetri në gjoks, por që plagët raportohet t’i ketë pasur më të vogla për shkak të jelekut antiplumb.

Edhe dje gazeta “Danas” ka raportuar se dy personat e plagosur në Banjskë nuk janë më në këtë spital dhe se janë dërguar në qendra më të mëdha mjekësore.

Ndërsa sot është raportuar se edhe një person tjetër është dërguar në këtë spital e më pas është transferuar në qendër tjetër.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, u shpreh se janë gjashtë sulmues që janë trajtuar në këtë spital dhe u kërkoi autoriteteve serbe t’i dorëzojnë.

Spitali i Novi Pazarit është institucioni shëndetësor i Serbisë më afër Kosovës, ku ndodhi rasti.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Në përkrahje të sulmuesve të vrarë, Serbia ka shpallur ditë zie. Serbia nuk ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës.