Arbëri

Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar për situatën në veri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për situatën në veri të Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, duke komentuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i organizuar dhe uniformuar serb, Haradinaj ka thënë se situata kërkon hetim ndërkombëtar. Haradinaj ka deklaruar se Serbia tashmë ka konfirmuar se është e përfshirë në sulmet e armatosura në veri.

“Situata e krijuar si rezultat i përfshirjes së drejtpërdrejt të Serbisë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri, kërkon hetim ndërkombëtar! Ngjarjet në veri dhe sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, janë pjesë e skenarit të përgatitur në Beograd. Reagimi i Policisë së Kosovës është përmbushje e detyrës për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Qëndrimi i Qeverisë së Serbisë dhe rreshtimi i saj krah grupeve kriminale e paraushtarake, është tejet shqetësues në këtë situatë dhe është sinjal i qartë se shteti i Serbisë është përfshirë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri. Prandaj në një situatë të tillë është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenarët e destabilizimit të situatës jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin e Ballkanit”, ka shkruar ai në Facebook.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Në përkrahje të sulmuesve të vrarë, Serbia ka shpallur ditë zie. Serbia nuk ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës.