Arbëri

Çitaku: Për gjendjen në veri fajtore është Serbia

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka quajtur shfaqje teatrale dhe patetike konferencën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që foli mbi sulmet në veriun e Kosovës.

Çitaku është shprehur në Facebook se kryeministrin Albin Kurti e ka kundërshtar politik dhe e fajëson për shumëçka, por “për gjendjen e sotme në veri, Serbia dhe grupet paramilitare kanë faj”.

“Por, për gjendjen e sotme në veri, Serbia dhe grupet paramilitare kanë faj. Ju e keni provokuar situatën. Shpresoj ta merrni mësimin. Kosova është ndërtuar qe 24 vite”, ka shkruar nënkryetarja e partisë opozitare.

Ajo ka theksuar se akuzat e njëjta si për Kurtin, Vuçiqi i kishte bërë edhe kur kryeministër ka qenë Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj.

“Kurtin unë e kam oponent politik dhe e kundërshtoj zëshëm për politikat e tij. E fajësoj për mungesën e reagimit qeveritar karshi inflacionit, mungesës së projekteve zhvillimore, mungesën e koordinimit me SHBA dhe BE. E kritikoj për rrënimin e dialogut social me media, biznese, shoqëri civile, opozitë. E kritikoj për qasjen e tij në dialog me Serbinë”, ka thënë Çitaku.