Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani e ka shkelur Kushtetutën, duke dekretuar Ligjin për Zyrtarë Publikë, i cili është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Grudës, në këtë ligj të dekretuar, Kushtetuesja e ka rrëzuar “kriterin e përshtatshmërisë”, por siç ka thënë ai, ky ligj është dekretuar duke përfshirë më këtë kriter.
“Gjykata ka miratuar pretendimet tona dhe i ka rrëzuar disa prej neneve. Në ligjin e ri i dekretuar është futur kriteri i përshtatshmërisë. Pra, për emërim në pozita të caktuara, do të aplikoheshin disa kritere dhe ‘përshtatshmëria’. Gjykata e ka rrëzuar këtë formulim në ligjin aktual, por presidentja e ka dekretuar ligjin me këtë formulim. Nenet tjera janë hequr, por nga ky paragraf jo. Me këtë akt presidentja ka bërë shkelje”, ka thënë ai në Konfrontin e KTV-së të mërkurën.
Zyrtari i PDK-së është shprehur se nuk beson që ky ka qenë lëshim teknik, por i shtyrë nga partia në pushtet “për të vënë dorën në punësimin e zyrtarëve publikë”.