Në kuadër të takimeve bilaterale përgjatë takimit të liderëve të rajonit të Procesit Brdo-Brione që po mbahet në Shkup, presidentja Vjosa Osmani ka takuar anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiq dhe Denis Beçiroviq.
Zyra e Presidentes ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar ratifikimi i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit nga Parlamenti i Bosnje e Hercegovinës, obligim që rrjedh nga nënshkrimi i marrëveshjeve në nëntorin e vitit të kaluar.
“Presidentja Osmani ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjeve nga ana e autoriteteve të BeH është, përveç një obligim edhe domosdoshmëri që do ta ndihmojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy shteteve që do t’i kontribuonte rritjes së komunikimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy popujve”, thuhet në njoftim.
Sipas Osmanit, Kuvendi i Kosovës dhe katër shtetet e rajonit kanë ratifikuar marrëveshjet e Procesit të Berlinit, njëra nga të cilat parasheh lëvizjen vetëm me letërnjoftime me Bosnjën dhe Hercegovinën, ndaj është radha që të njëjtin veprim ta bëj edhe Bosnje e Hercegovina.
Osmani ka theksuar se arritja e vizionit të përbashkët e të dy shteteve për të qenë pjesë e familjes euroatlantike do t`i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë të rajonit.