Arbëri

Serbia arreston drejtorin e Administratës së Leposaviqit

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit, Nikolla Radimiroviq, është arrestuar të shtunën nga Policia e Serbisë dhe po mbahet në një stacion policie në Rashkë.

Sveçla ka thënë se ai është ndaluar vetëm se është pjesë e institucioneve të Kosovës dhe se bashkë me familjen kanë rezistuar ndaj presionit të Beogradit.

“Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit njëherit djali i Zëvëndësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviq, është arrestuar sot nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë. Ai së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se së bashku me babain e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tyre”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka ndërlidhur arrestimin edhe me hakmarrjen e Serbisë që Kosova fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Ai ka kërkuar nga Serbia t’i lirojë Radimiroviqin dhe të fejuarën e tij.

“Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojalë ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”, ka shtuar tutje ai.