Arbëri

33 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut

Sot bëhen 33 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut e cila ishte miratuar më 7 shtator të vitit 1990, nga delegatët shqiptarë të Kuvendit të atëhershëm të cilët kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti.

Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut të shërbejë si reflektim për përmbushje të parimeve të Kushtetutës

Presidentja Vjosa Osmani me këtë rast ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut “simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik”.

“Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë, mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, citohet Osmani në një komunikatë për media të Presidencës.

Ajo ka thënë se delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë.

“Delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë, sepse me guximin e tyre, aktin më të lartë juridik e shndërruan në njërin nga hapat më të rëndësishëm të konsolidimit të identitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës”, citohet Osmani.

Sipas saj Dita e Kushtetutës së Kaçanikut, duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë.

“Dita e Kushtetutës së Kaçanikut, duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë, sikurse edhe mbrojtjes e afirmimit të vlerave për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare”, citohet ajo.

Kurti: Kushtetuta e Kanikut shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut u miratua “duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar” si dhe “duke u mbështetur në luftën çlirimtare”.

Sipas tij ajo ishte “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”.

“Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, ku ka përshkruar edhe mënyrën se si kishte ardhur deri te miratimi i Kushtetutës dhe ka përmendur disa nga protagonistët e kësaj ngjarjeje.

“Në kujtim të përpjekjeve të asaj gjenerate që për herë të parë e shpalli Kosovën republikë. Nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981 'Kosova Republikë' u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, para se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008”, ka shkruar Kurti.