Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i është ndarë titulli “Patroni i Kalasë” nga qyteti i Beratit.
Zyra e Presidencës njoftoi të martën se ky titull është më i larti që e ndan ky qytet, e atë ia dha kreu i Bashkisë, Ervin Demo.
“Titulli ‘Patroni i Kalasë’, bart në vete një përgjegjësi të madhe. Ai nënkupton jo vetëm një nder personal, por një angazhim për një kauzë më të madhe siç është mbrojtja e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Kalatë sikurse kjo e Beratit nuk janë thjesht vetëm ngrehina fizike, por traditë dhe krenari e bartur ndër shekuj. Sikurse Shqipëria edhe Kosova ka trashëgimi të pasur kulturore, të denjë për UNESCO, organizatë në të cilën synojmë të anëtarësohemi, ndaj përvoja e Shqipërisë në këtë rrugëtim do të jetë mjaft e dobishme për ne”, është shprehur presidentja Osmani.
Osmani është shprehur se Kalaja e Beratit është testament i brezave “para nesh dhe një trashëgimi botërore që mbrohet nga UNESCO”.