Ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe i BE-së kanë dalë me reagim pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për licencën biznesore të KlanKosovës.
Ata janë shprehur me shqetësim për vendimin e ministrisë, duke thënë se ai mund të ketë pasoja për pluralitetin mediatik në Kosovë.
QUINT-i dhe BE-ja kanë thënë se presin proces të drejtë dhe transparent për ta zgjidhur këtë situatë.
“Jemi shumë të shqetësuar se revokimi i licencës së biznesit të KlanKosovës është vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së secilës media është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar më 28 korrik se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e “KlanKosovës” për vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion dhe se tash pala ankuese mund të parashtrojë padi në gjykatë, pasi rasti është mbyllur brenda Ministrisë.