Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka cilësuar të papranueshme linçimet që u janë bërë së fundmi policëve të rinj serbë në veri të Kosovës nga përdorues serbë të rrjeteve sociale.
Hovenieri ka thënë se përbërja e Policisë së Kosovës duhet të pasqyrojë diversitetin e vendit.
“Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t'i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka shkruar Hoveneri në Twitter teksa ka ndarë qëndrimin e shefit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Pietro Barbano, e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi që bëhet.
“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, është shprehur ai.
Në fillim të kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.