Për t’i bërë ballë vapës së madhe, pacientë në QKUK janë detyruar të marrin freskuese ajri nga shtëpitë, në mungesë të klimatizimit e ventilimit në shumicën prej reparteve dhe klinikave. Disa klinika kanë bërë zgjidhje me kondicionerë të zakonshëm, e në disa edhe ato janë jashtë funksionit.
Të paktën dy freskuese ajri ndodhen në pothuajse secilin repart të klinikave të QKUK-së. E këto pajisje janë sjellë në dhoma nga vetë pacientët për t’i bërë ballë vapës së madhe nga temperaturat e larta.
Pacientët të cilët janë të shtrirë në QKUK për trajtim, në kushte anonimiteti u ankuan për ballafaqimin me të nxehtit brenda reparteve.
Në Klinikën e Gjinekologjisë, tregojnë për temperaturat e larta brenda dhomave. Kjo klinikë posedon klimë vetëm në sallat e lindjes, ato operative dhe në zyrat e drejtorisë.
“Po, është dashtë me marrë prej shtëpisë, shkaku i nxehtësisë, por tash është mirë. Nuk është gjendje e pamenaxhueshme. Është goxha nxehtë, por është gjendje e menaxhueshme”, ka thënë një paciente.
Me këtë problem përballen edhe pacientët e shtrirë në klinika të tjera. Nga jashtë shihen një numër i madh dritaresh të hapura.
Përveç Gjinekologjisë, edhe në Ortopedi, Pulmologji, Psikiatri, Kirurgji e shumë klinika të tjera pacientët shfrytëzojnë mënyrat klasike për t’u freskuar.
Në mungesë të sistemit qendror të klimatizimit e ventilimit, zgjidhje janë munduar të bëjnë përmes kondicionerëve të zakonshëm, por që shumë prej të cilëve nuk funksionojnë plotësisht.
Nga gjithsej 38 klinikat e QKUK-së, Emergjenca, Mjekimi Intensiv, Ambulancat Specialistike, e Spitali Pediatrik janë disa nga klinikat e paketa që posedojnë klimë. Klinika e Onkologjisë i mban freskët dhomat përmes kondicionerëve të vendosur rreth dy vjet më parë.
Në SHSKUK nuk e kanë treguar numrin e saktë të klinikave që kanë të instaluar sistem të klimatizimit e ventilimit, e as të atyre ku mungojnë.
Në një përgjigje me shkrim theksuan se janë duke punuar në mënyrë që ato ekzistueset të jenë funksionale.
“Gjatë punës së tyre në disa raste haset edhe në vështirësi dhe punë që nuk mund të kryhen nga ky shërbim, e që e pamundëson aktivizimin e tyre. Me prioritet punohet në sallat e operacionit, mjekim intensiv dhe shërbimet e tjera me ndjeshmëri të lartë. Menaxhmenti i SHSKUK-së, me aq sa lejojnë mundësitë buxhetore dhe në kuadër të planit të punës do të përkrahë investimet në sistemin e ventilimit dhe klimatizimit, por paraprakisht është kërkuar analizë detaje e gjendjes aktuale dhe konform analizës plani për investime”, kanë thënë në ShSKUK, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Javën e shkuar, KOHA raportoi se problem me klimatizim ka edhe Spitali i Gjilanit, ndonëse objekti në të cilin është vendosur ka vetëm pak vjet.