Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se do t’i padisë akterët e pushtetit që janë përfshirë në përleshje në Kuvend dhe që e kanë sulmuar.
Ai e ka quajtur të palogjikshme që një zëvendëskryeministër të përfshihet në rrahje.
Të enjten, deputetë të PDK-së e të pushtetit bashkë me ministrat u përfshinë në përleshje fizike. Rrahja nisi kur po fliste kryeministri dhe u lag me ujë nga deputeti Lushtaku. Ministri Hekuran Murati reagoi duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe Besnik Bislimin, i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit Lushtakun. Aty më pas u përfshinë edhe të tjerë.
“Është pak e rëndësishme a do të më godasin apo do të më vrasin sepse ka me qëndru i fortë qysh ka qëndruar familja ime në kohën më të vështirë, në kohën e okupimit serb sepse me krenari e kemi mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës. Do të qëndrojmë të fortë me çdo aksion politik e demokratik, edhe pse mundohen të na ndalin fjalën e lirë, protestën demokratike ata kurrë nuk do të mund të na ndalin. Nuk kemi pritur që një zëvendëskryeministër të dhunojë demokracinë dhe të sulmojë”, ka thënë Lushtaku në një konferencë.
Lushtaku ka shtuar se është sulmuar edhe me mjet të fortë.
“Duke pa të gjitha sulmet ndaj meje dhe kolegëve, ku fizikisht më është gjuajtur me shishe plot ujë nga Bislimi, nga Albulena Haxhiu ka pasur sulm dhe nga ministri i Financave që ishte me një mjet të fortë. Pas atyre gjuajtjeve edhe unë natyrshëm kam reaguar, por nuk kam pasur plan të reagoj dhunshëm. Vetëm kam vepruar me gjuajtje të ujit, të gjithë kanë nevojë për freski. Do të padisë këta njerëz të sipërpërmendur”.
Veprimet e PDK-së, si fotografia e Kurtit që u vu në foltoren e Kuvendit ku shihej ai me hundën e zgjatur duke nënkuptuar gënjeshtrën e më pas edhe shkrimet “zdravo”, Lushtaku ka thënë se nuk ishin provokime për demokracinë.
“Aksionet tona nuk ishin provokime për shtetin e Kosovës, demokracinë, por për ata që kanë lidhje me Serbinë dhe Radojçiqin. Nuk ishte vetëm një shishe, ishte sulm i koordinuar. Ata kanë qenë të gatshëm të veprojnë në çdo formë dhe të na nënçmojnë si aksion politik. Nuk ka logjikë të sulmohet nga një zv.kryeministër aksioni politik, ata duhet të reagojnë në foltore”.