Arbëri

Dedi: Divorci nuk është fundi i botës as për gratë e Kosovës

Gratë e divorcuara nuk duhet të ndihen të paragjykuara nga shoqëria, ato duhet të jetojnë dhe rifillojnë jetën njësoj si ish-burrat e tyre, kështu thotë psikologia Tringa Dedi.

Ajo në emisionin "Me Kast" me Paulina Nushi Muhaxhiri ka rrëfyer përvojën e saj të divorcit me tashmë ish-bashkëshortin, pas afro 20 vjet martesë.

"Në jetën time ka ndodhur një tradhti, e cila në njëfarë forme më ka detyruar që unë me e marrë një vendim, sepse kam mendu që nëse vjen deri te një situatë e tillë, personi tjetër nuk është plot, me personin qe e ka nda jetën. Një çift që është i lumtur dhe nuk ka boshllëqe në mes jam shumë e sigurt që asnjëherë nuk do ta shikonin dikënd tjetër "- tha Dedi.

Më tutje, psikologia rrëfeu se ajo ka tentuar ta shpëtojë martesën e saj, sepse në mes ishin edhe dy fëmijë, por që nuk ka gjetur mirëkuptim nga pala tjetër.

"Zakonisht ata janë të pafajshëm, pa marrë parasysh që i kam pa, që kam pa mesazhe, që më kanë tregu njerëzit e miqtë e tij, gjithmonë ka qenë jo nga ana e tij dhe gabimi kam qenë unë. Si zakonisht, gruaja gjithmonë është fajtore"

Tringa Dedi tha se pavarësia financiare ka qenë një lehtësi e madhe për situatën e saj, derisa potencoi se tash e disa vjet mbetet në proces gjyqësor për ndarjen e pasurisë me ish-bashkëshortin.

Ajo tha se familja duhet gjithmonë të përkrahë gratë që janë në prag të divorcit.

"Vjen një moment kur ti ke nevoje edhe për familjen dhe e vendos me u tregu, fatmirësisht e kam pasë edhe përkrahjen e te gjithëve, nanës e vëllezërve. Ata janë mundu me diskutu me ne, por nuk ka pasë zgjidhje"

Në cilësinë e psikologes, Dedi këshilloi çdo grua që kalon në fazën e ndarjes dhe divorcit të mos qëndrojë e mbyllur në shtëpi, por të angazhohet.

"Kam punuar ndoshta tri punë, kam dalë herët në mëngjes e jam kthyer në orën 20:00, nuk kam pasur kohë as me mendu dhe kjo më ka ndihmu shumë".

Sipas psikologes, divorci nuk është fundi i botës, por fillimi i një jete të re dhe se fëmijët rriten më të lumtur kur kanë dy shtëpi me plot harmoni, se në një familje me probleme të vazhdueshme.