Arbëri

Pasojat për Kosovën, Escobar: Tërheqja e KFOR-it nuk është në tavolinë

escobar

Foto: Alban Bujari

Emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se plani trepikësh i Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri është i mirë për Kosovën dhe se nuk anon kah asnjëra palë. Ai ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “do ta humbë mundësinë” nëse nuk pajtohet që ta implementojë dhe harmonizojë me partnerët.

Në intervistën e zhvilluar në prag të forumit të sivjetmë të Dubrovnikut, Escobar ka theksuar se ka indikacione pozitive që Beogradi zyrtar do të mund ta pranonte, porse është shprehur që këtë nuk mund ta thotë edhe për kryeministrin Kurti. 

“Ne shpresojmë se Kurti në një pikë do t’i përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane”.

I pyetur se çfarë pasoja mund të ketë për Kosovën dhe nëse njëra prej tyre do të ishte tërheqja e KFOR-it nga Kosova, Escobari u përgjigj se kjo mundësi “nuk është në tavolinë”, raportoi Hina. 

“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo figurë politike”.

Ai theksoi se pasojë e mospranimit të planit trepikësh është një mundësi e humbur.

"Kjo nuk është një masë ndëshkuese, është një mundësi e humbur. Kjo është ajo që po ndodh me Kosovën tani sepse nuk po koordinohet me partnerët e saj", shtoi Escobar.