Arbëri

Pushteti “sfidon” me zgjedhje të reja, opozita: Jemi gati

Vetëm pak ditë qëkur partitë në opozitë ashpërsuan retorikën duke përmendur edhe zgjedhjet e reja, partia në pushtet i ka “sfiduar” me të njëjtën gjë.

Në një video në Facebook të publikuar të martën, Lëvizja Vetëvendosje i ka akuzuar këto parti se “nuk u del zëri për zgjedhje të reja”.

“Me nismat e tyre, që janë më afër Serbisë e më larg popullit e republikës, këta shpresojnë që duke u dorëzuar, me partitë e tyre të vogla do të mund të vijnë në pushtet”, thuhet në videon e publikuar nga VV-ja.

Pas videos së Vetëvendosjes, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është kundërpërgjigjur duke thënë se është e gatshme për zgjedhje. Ka disa javë që AAK-ja ka iniciuar mocionin e mosbesimit, por nuk ka marrë mbështetje nga partitë tjera opozitare.

Ndërkaq, të hënën, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, njoftoi se ka shkëputur raportet me kryeministrin e presidenten dhe kërkoi zgjedhje të reja. Këtë e ka përsëritur të martën, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku. “Jemi gati që sot, mos u tutni”, ka shkruar ajo për “sfidën” e VV-së për zgjedhje të reja.

LDK-ja në anën tjetër ka paralajmëruar takime për “angazhim të përbashkët shoqëror, për rrugën e re”.

Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, më 14 shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke marrë mbi 50 për qind të votave. PDK-ja doli e dyta me 17 për qind, LDK-ja e treta me nën 13 për qind, e AAK-ja e katërta me 7 për qind.