Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për stabilitet.
Ai në një konferencë për media të mbajtur të premten, ku ka folur për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Serbi, ka thënë se ata që refuzojnë partneritetin me SHBA-në do të kenë pasoja.
“Po kërkojmë nga të dyja palët të ndërmarrin hapa për stabilitet dhe ata që na duan si partnerë do të punojnë ngushtë me pikat për të cilat po insistojmë. Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”, ka thënë Escobar.
Escobar shtoi se nuk është e vërtetë që SHBA-ja ka mbështetur Serbinë më shumë se Kosovën. Ai ka thënë se pavarësisht se Serbia kërkoi gjëra, SHBA-ja nuk ia përmbushi dëshirat. Ka theksuar se SHBA-ja në 90 ditët e fundit, çfarëdo që ka bërë, ka qenë në favor të Kosovës.
“Serbia nuk ka dashur që të shkojë përpara aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ne e kemi mbështetur. Serbia ka dashur që Kosova t’i anulojë zgjedhjet, por ne i kemi mbështetur, Serbia ka dashur që zgjedhjet të shpallen të paligjshme për shkak të daljes së ulët, ne i kemi mbështetur ato, Serbia nuk ka dashur që të njihet legjitimiteti i kryetarëve të rinj, ne i kemi njohur ata. Dhe e sfidoj gjithsecilin që të gjejë diçka që ne kemi bërë, e që nuk ka shkuar në të të mirë të Kosovës. Legjitimiteti tyre nuk do vihej në pyetje nëse do punonin në objekte tjera, në vend të kësaj insistuan në objektet komunale. Për çfarëdo arsye që vazhdojnë të refuzojnë, ne do insistojmë. Do të ketë pasoja nëse vazhdojnë të na injorojnë këshillat tona”, ka thënë Escobar.
Sa i përket kritikës së kryeministrit Albin Kurti, se KFOR-i ka heshtur për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Escobar ka thënë se janë në pritje të fakteve. Ai ka ritheksuar thirrjen që tre policët e kidnapuar nga forcat serbe, duhet të lirohen.
“Kemi ndjekur rastin e arrestimit të tre policëfve të Kosovës. Janë dy skenarë, një se ata janë kidnapuar nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në çfarëdo rasti, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, ka deklaruar ai.
Escobar u pyet nëse do të marrë pjesë në takimin që do të mund të mbahet në Bruksel javën e ardhshme, nën organizim të kryediplomatit evropian, Josep Borell, për shkak të raporteve SHBA-Kosovë pas zhvillimeve në veri, Escobar ka thënë se përpjekjet për shtensionim e kanë mbështetjen amerikane pavarësisht pjesëmarrjes.
“Varësisht prej përgatitjeve që do të kemi, do të vendosim nëse do të shkoj në Bruksel. Por, pa asnjë dyshim, këto përpjekje do ta kenë mbështetjen amerikane”, ka shtuar Escobar.
Escobar ka thënë se beson që Qeveria e Kosovës duhet të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi.
“BE beson se diçka e tillë jo vetëm që është joevropiane, po as nuk ekziston bazë ligjore, Ne e mbështesin këtë qëndrim dhe besojmë se është përshkallëzim i panevojshëm i një situate veçse të tensionuar”, ka thënë ai.
Përgjatë konferencës, Escobar ka thënë se, “ndonëse është e vërtetë që Serbia nuk ka përparuar në nivelin që e kemi dashur, sa i përket krijimit të raporteve paqësore me Kosovën, mund të them se shumë prej çka është duke ndodhur prej nëntorit, ka qenë për shkak të veprimeve të njëanshme të Kosovës, për të gjetur zgjidhje, për të cilat nuk është koordinuar me komunitetin ndërkombëtar”.
Escobar: Kurti po flet për sundim të ligjit, Asociacioni është pjesë e tij
Ai në këtë konferencë ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke thënë se ai është obligim ligjor.
“Duke e refuzuar këtë obligim, Kosova po e refuzon obligim evropian sepse është marrëveshje edhe mes Kosovës dhe BE-së. Nuk po i kërkojmë të bëjë diçka që nuk duhet ta bëjë, po i kërkojmë ta bëjë brenda kornizave. Çfarë nuk kuptojmë është se pse Qeveria e Kosovës refuzon të pranojë obligimet e saj ligjore. E kemi dëgjuar Kurtin të thotë se do vetëm sundimin e ligjit. Nëse duam të flasim për sundim të ligjit Asociacioni është pjesë e tij”, ka theksuar Escobar.