Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e mbajtur të premten ka vendosur që të enjten e javës që vjen të mbahet seanca e re plenare.
Në një deklarim pas mbledhjes së Kryesisë, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza-Kusari-Lila, ka thënë se në atë seancë do të mbahet edhe interpelanca e ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me “Rishikimin e buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritjen e pagave në sektorin publik”.
“Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit u vendos që të mbahet më 22 qershor ditë e enjte. Aty është paraparë edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Kjo kërkesë është nga AAK-ja”, tha ajo.
Seanca do të nisë në orën 10:00.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka bërë të ditur se kjo ka qenë kërkesë e partisë së tij.
“Kërkesa jonë bazohet në dy çështje të rëndësishme. E para lidhet me bllokimin total që qeveria e Kosovës ia ka bërë investimeve publike kapitale në vend. Është e pashpjegueshme të shpërndahen paratë e taksapaguesve në forma të ndryshme dhe të bllokohet një proces i tërë i investimeve kapitale në komuanl dhe në nivel qendror”, ka deklaruar Tahiri. Sipas tij edhe infrastruktura rrugore e edhe ajo institucionale janë në kolaps.
Tahiri ka theskuar se rritja e koeficient prej 105 në 129 euro, mbetet kërkesë e tyre.