Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se vetura e mediumit “ATV” është sulmuar me gurë të martën në Zveçan, me ç’rast janë lënduar gazetari dhe kameramani.
Në njoftimin e AGK-së thuhet se ky ekip është sulmuar me gurë nga disa persona të maskuar derisa vetura e tyre ishte në lëvizje.
Gazetari dhe kameramani kanë pësuar lëndime të lehta trupore, teksa janë raportuar edhe dëme materiale.
“Sipas mediumit, disa persona të maskuar, e kanë sulmuar me gurë veturën derisa ishte në lëvizje, e që si pasojë lëndime të lehta trupore kanë marrë gazetari Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi, si dhe iu janë thyer xhamat veturës”, thuhet në njoftim.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë thirrje për Policinë dhe prezencën ndërkombëtare në këtë pjesë të Kosovës që të krijojnë kushte më të mira për gazetarët që po raportojnë nga atje.