Ndryshe nga ditët e para, të enjten nuk pati incidente, por pati provokime e fyerje ndaj shqiptarëve. U shfaqën flamuj të mëdhenj serbë, u lëshuan këngë nacionaliste gjatë gjithë kohës e në Leposaviq në protestë u mor edhe një dhi, ku ishte shkruar emri i kryetarit Lulzim Hetemi
Protestues serbë në tri komunat veriore u mblodhën edhe të enjten për të protestuar kundër kryetarëve të zgjedhur, të gjithë shqiptarë, si dhe futjes së tyre dhe të forcave policore në ndërtesat kryesore komunale.
Për dallim nga ditët e para, të enjten nuk pati incidente, por pati provokime e fyerje ndaj shqiptarëve. U shfaqën flamuj të mëdhenj serbë, u lëshuan këngë nacionaliste gjatë gjithë kohës e në Leposaviq në protestë u mor edhe një dhi, ku ishte shkruar emri i kryetarit Lulzim Hetemi.
Protestat në këto tri qytete nisën të premten e kaluar, kur me ndihmën e forcave policore në objektet kryesore komunale u vendosën kryetarët e sapozgjedhur. Ato vazhduan të hënën, kur u shënuan edhe incidentet më të mëdha. Vetëm në Zveçan u plagosën 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.
Në Leposaviq shfrytëzohen fëmijët për protestë
Rreth orës 7:00, qindra protestues ishin mbledhur në sheshin para Komunës në Leposaviq. Protesta nisi e qetë. Protestuesit vinin të organizuar, e një pjesë e madhe e tyre ishin gra.
Atyre iu sigurua edhe ushqim. Më vonë disa prej organizatorëve sollën pajisjet e zërimit për një mini-koncert. Ata që i interpretuan këngët e poezitë ishin të gjithë fëmijë e adoleshentë. Megjithatë, në tekstet e tyre flitej për të ashtuquajturën “Kosovë dhe Metohi” dhe për atë se si Kosova është zemra e Serbisë.
Protesta vazhdoi e qetë.
Disa orë më pas organizatorët sollën një dhi. Asaj ia kishin vendosur një duvak velloje, e në anët e barkut ishin shkruar emri e mbiemri i kryetarit të kësaj komune, Lulzim Hetemi.
Një nga protestuesit mori një palë çizme llastiku, që përdoren kryesisht nga bujqit, dhe tentoi t’ia mbathë kafshës. Kjo gjë i argëtoi pjesëmarrësit e protestës.
Të enjten nuk kishte djegie e vandalizim të veturave të mediave, por sërish ata nuk ishin të mirëpritur.
I vetmi person që fliste me KFOR-in ishte ish-kryetari i kësaj komune , Zoran Tadiq.
Ai tha që rezistenca do të vazhdojë.
“Kërkesa jonë është që zotëri Hetemi të largohet nga objekti bashkë me bashkëpunëtorë, ta lëshojnë ndërtesën forcat e policisë. Atëherë jeta do të zhvillohet normalisht. Tash jeta është paralizuar”, ka thënë Tadiq.
Pak pas kësaj deklarate, pa u bërë ora 16:00, ai bashkë me përfaqësues të Listës Serbe, të cilëve iu printe Slakvo Simiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, u futën në oborr të komunës për të biseduar me ushtarët e KFOR-it. Pas disa minutash, për media u deklarua ish-kryetari Tadiq. Ai pretendoi se dikush nuk po e lejon kryetarin Hetemi të dalë nga zyra.
“I lirë është të largohet nga objekti. Nuk e pranojmë faktin që ai të mund të na përfaqësojë neve; kjo sepse në zgjedhjet më 23 prill asnjë serb, boshnjak, goran e rom nuk mori pjesë”, ka thënë Tadiq.
Hetemi nuk ka dalë nga objekti i Komunës Leposaviqit që nga e hëna. Ai ishte futur në ndërtesë me ndihmën e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe prej atëherë nuk ka lëvizur nga aty.
Në Zveçan mbahet evidencë për pjesëmarrësit në “rezistencën serbe”
Fiks në orën 7, punonjësit e Komunës paralele në Zveçan, veprimtaria e së cilës zhvillohet ilegalisht, nisën të nënshkruhen.
E bënë këtë në formë proteste, pasi nuk po lejohen të hyjnë në objektin e komunës, në të cilën është vendosur policia për t’i siguruar qasje kryetarit të zgjedhur nëpërmjet ligjeve të Kosovës.
Megjithëkëtë, kryetari Ilir Peci nuk ka dalë në punë të enjten.
As policia nuk u duk aty, ndërsa dy autoblinda të saj vazhduan të qëndrojnë para objektit.
Pas dhunës, të hënën, në të cilën u plagosën 30 ushtarë të KFOR-it, janë vendosur barriera që i ndajnë protestuesit me ushtarakët polakë, që janë të paktë në numër. Ata vëzhguan situatën e nga të gjitha anët e objektit, e edhe nga ballkonet.
Nuk munguan as helikopterët mbi qiellin e Zveçanit.
Në ditën e pestë të protestës nuk pati tensione, por pati këngë nacionaliste.
Nuk munguan as liderët e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq.
Ndryshe nga një ditë më parë që defiluan punëtorët shëndetësorë, të enjten erdhën t’i shprehin pakënaqësitë punëtorë të Trepçës.
Para mediave, ata u ankuan në Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës.
“Nga e premtja kur njësitet speciale janë futur në veri, prodhimi ynë është ndërprerë, pasi policët kanë bllokuar flotacionin dhe nuk po i lejojnë kamionët të lëvizin”, ka thënë minatori Darko Millojeviq.
E një mesazh e dha edhe kryetari i Listës Serbe, i cili u shpreh se protestuesit janë të gatshëm ta ndihmojnë KFOR-in, ani se katër ditë më parë ia plagosën 30 ushtarë.
“Siç keni mundur ta shihni këto ditë, populli serb nuk ka probleme me ushtarët e KFOR-it. Dhe shfrytëzoj këtë rast që t’i ftojë të gjithë qytetarët, që nëse ushtarëve u duhet ndonjë ndihmë apo asistencë, t’u jenë në shërbim”, ka thënë Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe.
Kur liderët politikë i kryen fjalimet, turma nisi të rritet.
U sollën edhe karrige për të mos i lënë në këmbë.
Një koreografi e bënë edhe disa punëtorë të një kopshti të fëmijëve.
Brenda oborrit të komunës, në të cilin qëndruan vetëm pjesëtarë të KFOR-it e forca speciale, leje për të hyrë iu dha edhe disa punëtorëve të pastrimit.
Tensione nuk pati.
Në një moment, u afrua politikani serb, Aleksandër Arsinijeviq, me një flamur me mbishkrimin “vetëm po protestojmë pa dhunë”. Defilimin e bëri vetëm disa minuta, pasi serbë në veri të Mitrovicës sulmuan dy shqiptarë.
Arsinijeviq shpalosi një kërkesë për kryeministrin Albin Kurti dhe për ndërkombëtarët.
“Me këtë porosi dua t’i drejtohem zotëri Kurtit që dje na quajti turmë fashiste, të cilët duhet të kthehen në Serbi apo të përfundojnë në burgje. Qytetarët me kapela janë qytetarë që frikësohen nga ndjekja jo e drejtë e organeve të drejtësisë. Ftojmë përfaqësuesit ndërkombëtarë të vijnë në këto tri komuna dhe t’i shohin këta njerëz, të flasin me ta”, deklaroi Arsenijeviq.
Protestën e mbyllën disa prej punonjësve në Komunën ilegale të Zveçanit, duke dhënë nënshkrimet për përfundim të orarit fiks në orën 15:00.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u shpreh se këto nënshkrime nuk e kanë qëllimin e evidentimit të pjesëmarrjes në punë, por të pjesëmarrjes në protestë, e cila, sipas tij, po u kushtëzohet nga Lista Serbe.
Kur punonjësit shkuan pranë ndërtesës së komunës, arritën të tjerë, për ta vazhduar atë që e konsiderojnë rezistencë kundër kryetarit të ri.
Qetë në Zubin-Potok, kryetari Zeqiri nuk shkoi në komunë as të enjten
Qetë e pa tensione u mbyll protesta e së enjtes e serbëve lokalë para objektit të Komunës në Zubin-Potok, të cilët që nga e premtja janë duke kundërshtuar zgjedhjen e kryetarit të ri, Izmir Zeqiri, si dhe vendosjen e tij dhe të forcave policore në objektin kryesor komunal.
Nën tenda me ngjyrë të kaltër, të bardhë dhe të kuqe, e në shoqërimin e kafeve, serbët qëndruan pranë komunës që nga ora tetë e mëngjesit. Vetëm shpërthimi i një mjeti piroteknik u dëgjua në këtë zonë, për tetë orë sa zgjati protesta.
Kryetari Izmir Zeqiri, të cilin serbët po e kundërshtojnë, as këtë të enjte nuk shkoi në zyrën e tij në komunë. Zeqiri po e ushtron detyrën nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër, meqë thotë se iu është bindur rekomandimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Unë u bindem edhe rekomandimeve, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të Bashkimit Evropian, që ne të mos jemi ata faktorë të cilët do të inspironin ndonjë dhunë për shkaqe të veprimeve”, ka thënë Zeqiri. Ai tha se është i informuar nga njësitet policore në çdo moment për gjendjen para komunës.
“Ne nuk do t'i lëshojmë objektet në asnjë mënyrë, që të punojnë aty për shërbime të ndryshme të Serbisë e të Rusisë. Por për momentin jemi këtu duke punuar, ani pse janë anekse të Zyrës komunale, por në çdo minutë, në çdo orë jemi të informuar. Do ta shohim hapësirën”, ka thënë ai.
Sipas Zeqirit, kundërshtimet për zgjedhjen e tij vijnë nga bandat kriminale e jo nga civilët.
“Bandat që po e sulmojnë rendin dhe ligjin, do të thotë i kemi parë këto ditë që besoj që të gjithë akterët duhet t'i shohin këto gjëra. Ne jemi në mes të veprimit ligjor të rendit e ligjit dhe kundërshtimeve nga bandat e ndryshme, të cilët synojnë ta kundërshtojnë dhe ta rrënojnë rendin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Për ta kundërshtuar zgjedhjen e tij, në mesin e protestuesve të enjten ishin edhe edukatorët e institucioneve parashkollore, të cilat u fotografuan para objektit të komunës ku valëvitet flamuri i Kosovës.
E, nën tingujt e këngëve nacionaliste ku këndohej “Kosova është Serbi”, disa fëmijë loznin e festonin Ditën Ndërkombëtare të tyre në Zubin-Potok.
E të gjithë situatën e vëzhguan edhe pjesëtarë të KFOR-it, ku nganjëherë komunikonin me protestuesit. Ata qëndronin në kthesën përballë komunës dhe mbrapa saj. Për dallim nga pjesëtarët e njësive speciale të Policisë që rrallëherë ndërroheshin me njërin-tjetrin, ushtarët e KFOR-it zëvendësoheshin çdo 30 minuta.
Në gjendje gatishmërie ishte edhe njësiti FIT i Policisë, i cili qëndronte brenda e mbrapa objektit të komunës. E vëzhgim të situatës pati edhe nga qielli. Një helikopter i KFOR-it u pa katër herë duke qarkulluar në atë zonë.
Protestat në këto tri qytete nisën të premten e kaluar, kur me ndihmën e forcave policore, në objektet kryesore komunale u vendosën kryetarët e sapozgjedhur. Ato vazhduan të hënën, kur u shënuan edhe incidentet më të mëdha. Vetëm në Zveçan u plagosën 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.