Arbëri

Kurti e quan jonormal presionin e Beogradit ndaj serbëve në veri

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar jonormal presionin e Serbisë mbi serbët e veriut të Kosovës për të mos dalë në zgjedhjet lokale që u mbajtën një muaj më herët.

“Dje u bënë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në Komunën Veriore të Mitrovicës, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit. Nuk pati asnjë incident. Ishin të qeta dhe paqësore. Frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar, ndikoi drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve tanë serbë në këto zgjedhje. Vota e munguar, ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik. Fushata të tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokalë, veçanërisht në katër komunat tona në veri të vendit, janë të shpeshta dhe të vazhdueshme. Por, veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht, nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme”, ka thënë Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë të mërkurën.

Ai e ka quajtur normal procesin e betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut si dhe paralajmërimin për betim të kryetarëve të komunave të tjera.

“Të premten e kaluar, kryetari i zgjedhur i Komunës Veriore të Mitrovicës, Erden Atiq, bëri betimin e tij. Kjo është normale, pas një procesi zgjedhor, e Nënkryetarja e Komunës, u emërua Katarina Axhançiq, që vjen nga radhët e komunitetit serb. Edhe kjo është normale për këtë komunë. Dje u emëruan katër drejtorë, një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar, e prej tyre dy gra. E ky është progres, që duhet normalizuar. Nesër, në ndërtesa publike në këto komuna, do të mbahen seancat konstituive dhe betimi edhe i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se jonormal është fakti që katër komunat në veri kanë qenë për 6 muaj pa kryetarë.

“Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarëve pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje. Ky është obligim i yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend. Sepse, të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në republikë”, ka përfunduar ai.