Qeveria e Kosovës ka propozuar shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, pas insistimeve të OSHP-së që të procedohet me tenderin për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e diabetit.
Në mbledhjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se me vendimin e OSHP-së për furnizim me insulina po rrezikohet shëndeti publik.
“Shëndeti publik po rrezikohet nga vendimi i OSHP-së për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet importi i insulinave pa autorizim-marketing që shpie direkt në rrezikim të shëndetit të qytetarëve tanë që kanë nevojë për insulinë. Qeveria ka për detyrë të jetë e përgjegjshme e të shmangë çdo rrezik që u kanoset qytetarëve, në veçanti kur bëhet fjalë për shëndetin. Për këtë detyrohemi të marrim masa në pajtim me legjislacionin në fuqi. I propozojmë kuvendit shkarkimin e anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka marrë vendimin e dëmshëm në kurriz të qytetarëve. Nuk ka ligjshmëri e as punë për të mirën e interesit publik kur vendimmarrja anashkalon interesin e qytetarëve e aq më tepër kur e njëjta shkel ligjin në fuqi. Brenda kompetencave që ka, Qeveria do ta dënojë çdo sjellje e veprim të dëmshëm pa marrë parasysh subjektin që merr vendimin”, ka thënë Kurti.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi se si Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar për afro dy vjet nënshkrimin e tenderit për insulina me arsyetimin se kompania fituese nuk ka garancitë e cilësisë për këtë produkt. Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit. Në rastin më të fundit, të fundit të prillit, OSHP-ja pas orarit të punës i ka dërguar urdhëresë Ministrisë së Shëndetësisë që të procedojë me këtë tender. E për këtë, OSHP-ja i dha Ministrisë pesë ditë afat, i cili përfundon këtë të mërkurë. Ky tender është hapur në fundin e vitit 2020, kur ministër ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm Ardian Mehmetaj. Prej viti 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas, në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketingu.
KOHA ka provuar të kontaktojë me Kimete Gashin, por deri në mesditë kontakti me të ka qenë i pamundshëm.