Arbëri

Qytetarëve që iu bë shkelje në pagesat për viza gjermane do të rimbursohen

Schengen

Qytetarët të cilët janë ankuar për shërbimet dhe pagesat e realizuara tek operatori “VisaMetric” për aplikim për viza “Schengen” për Gjermani, e të cilat Inspektorati i Tregut i ka konstatuar si shkelje, do të rimbursohen, ka bërë të ditur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) të enjten.

Në një njoftim për media të kësaj ministrie, gjatë muajve të fundit “numër i madh” i ankesave nga konsumatorët janë pranuar nga MINT-i. Qytetarët janë ankuar për shërbimet dhe pagesat e realizuara ndaj “VisaMetricut”, ka thënë Ministria.

Sipas njoftimit, Inspektorati i Tregut ka vendosur në favor të konsumatorëve dhe pas takimit me drejtuesit e kompanisë, do të ketë rimbursim për qytetarët.

“Inspektorati i Tregut në MINT ka bërë vizitë dhe është takuar edhe me drejtuesit e operatorit ekonomik ‘VisaMetric’ L.L.C në Prishtinë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ofrim të shërbimeve për konsumatorët, në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, duke pranuar se do të bëjnë ri-mbursimin e konsumatorëve, që janë ankuar. Për shkeljet e konstatuara, Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë veprime konform ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

MINT-i ka ftuar qytetarët që kanë dyshime se disa pagesa për viza kanë qenë të paarsyeshme apo vlerësojnë se ka pasur shkelje të tjera, të drejtohen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Disa qytetarë nëpër rrjete sociale ishin ankuar ndaj kësaj kompanie se “u janë tërhequr mjetet prej llogarisë, edhe pse termini nuk ishte konfirmuar”.

KOHA ka dërguar pyetje në drejtim të kompanisë në fjalë për detaje lidhur me pagesat për të cilat Inspektorati ka konstatuar shkelje.