Arbëri

Qeveria merr meritat për vizat

Qeveria e Kosovës e quajti moment kyç përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët, derisa tha se falë punës së saj, u arrit ky zhbllokim.

Ajo tha të martën pas përfundimit të votimit në Parlamentin Evropian se vendimi do të nënshkruhet të mërkurën në Strasbourg nga PE-ja dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

“Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante. Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

Qeveria theksoi se qytetarët do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i 2024-s.

 


Sveçla për liberalizimin e vizave: Fitore e Kosovës, por s’kemi kohë për të festuar

Ministri i Brendshëm, Xhelal Svceçla miratimin e liberalizimit të vizave e ka quajtur fitore të radhës për Kosovën.

Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se megjithatë nuk ka kohë për të festuar, pasi sipas tij, ka shumë sfida për të tejkaluar.

“Edhe një fitore e radhës e Republikës së Kosovës, sapo u finalizua procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Edhe pse moment gëzimi e konfirmim i punës sonë të palodhshme, nuk kemi kohë për të festuar sepse kemi shumë punë dhe sfida për të tejkaluar. Angazhimi ynë jo vetëm se është borxh ndaj të kaluarës por është edhe obligim ndaj të ardhmes së vendit tonë”, ka thënë ai.


Gërvalla për vizat: PE-ja ka qëndruar me ne në çdo hap gjatë këtyre viteve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pas vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën , ka thënë se Parlamenti Evropian (PE) ka qëndruar me Kosovës në çdo hap.

Ajo të martën, ditën kur u mor vendimi për liberalizim, e ka quajtur ditë gëzimi.

“Një ditë gëzimi për Kosovën dhe BE-në. Sot Parlamenti Evropian më në fund vendosi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. PE-ja ka qëndruar me ne në çdo hap gjatë gjithë viteve. Sot falënderova anëtarët kryesorë të PE-së për mbështetjen e tyre vendimtare”, ka Gërvalla në Twitter.


Von Cramon për liberalizim: Keni pritur gjatë padrejtësisht

Eurodeputetja Viola von Cramon e ka quajtur lajm të mirë votimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Përmes një videoje të cilën e ka publikuar në Twitter ajo ka thënë se më në fund është marrë vendimi për liberalizimin e vizave.

Ajo ka shtuar se për këtë vendim është pritur shumë gjatë.

“Keni pritur shumë gjatë dhe ka qenë shumë e padrejtë pasi keni plotësuar të gjitha kushtet. Ju do të udhëtoni në Gjermani, Austri, mund t’i vizitoni të afërmit atje dhe kjo më bënë shumë të lumtur”, ka thënë ajo.