Arbëri

Osmani: Dëshmorët e UÇK-së, motivi i përhershëm për Republikën e Kosovës

Kujtim dhe motiv i përhershëm për Republikën e Kosovës janë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani, të martën në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës.

Pas homazheve në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në kryeqytet, Osmani ka thënë se shteti i Kosovës është ideale i shumë brezave dhe kontribut i dëshmorëve të UÇK-së.

“Sot përkulemi para veprës së të gjithë dëshmorëve të UÇK-së nga komuna e Prishtinës, të cilët mbrojtën dinjitetin tonë, na bën krenarë me heroizmin e tyre duke dhënë jetën për lirinë tonë, për shtetin tonë. Ata do të jenë përherë udhërrëfyes për brezat dhe kujtesa jonë për rrugën nëpër të cilën kemi kaluar deri te liria. Dëshmorët e UÇK-së, janë kujtimi dhe motivi i përhershëm për Republikën e Kosovës”, ka thënë Osmani, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Ditët e 17,18,19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, për shumëkënd u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë. Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq.