Arbëri

Klinaku: Po të vritej dikush veç pse ka qenë në LDK, Kosova do të shndërrohej në kasaphanë

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që t’i reagojë publikisht Gjykatës Speciale.

Sipas tij LDK-ja nuk duhet të lejojë që dikush ta barazojë atë me kolaboracionaistë.

Ai ka theksuar se po të vritej dikush vetëm pse ka qenë pjesë e LDK-së, atëherë Kosova do të shndërrohej në kasaphanë. “Do të kishte qenë mirë për LDK-në, për UÇK-në e për krejt Kosovën që LDK-ja t'i reagonte publikisht Gjykatës Speciale për akuzën se dikush dikë e paska vra vetëm pse ka qenë në LDK! Po të ishte kjo e vërtetë, Kosova do të shndërrohej në një kasaphanë! Paramendojeni faktin se për kohën që flet akuza shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës kanë qenë në LDK! Pastaj, jo pak anëtarë të LDK-së kanë qenë njëkohësisht edhe pjesëtarë të UÇK-së! Si mund të anashkalohen këto fakte?! LDK-ja, edhe për hir të anëtarësisë së vet, nuk guxon ta lejojë stigmatizimin e LDK-së deri në atë masë sa dikush atë ta barazojë me kolaboracionistët”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

Reagimi i tij ka ardhur në ditën kur në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ka nisur dëshminë dëshmitari i dytë i Prokurorisë, e që ka thënë se ka qenë anëtarë i LDK-së. Në dëshminë e tij ai ka thënë se ka pasur presion që LDK-ja të pushonte aktivitetin e saj në Malishevë.