Arbëri

24 vjet nga masakrat e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër

Sot bëhen 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna të Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçarë.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu do të bëjë sot homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Vetëm në fshatin Poklek të Vjetër, ushtria barbare serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar./KSP


Haradinaj përkujton masakrat e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrat në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Haradinaj ka shkruar se pas masakrave të njëpasnjëshme anekënd Kosovës, në Poklek të Drenicës forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë. Në të njëjtën ditë, u vranë edhe 24 shqiptarë civilë në fshatin Çikatovë e Vjetër.

“Përulemi në kujtim të jetëve që u sakrifikuan për lirinë tonë! Para 24 vjetësh, pas masakrave të njëpasnjëshme anekënd Kosovës, në Poklek të Drenicës forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë. Në të njëjtën ditë, u vranë edhe 24 shqiptarë civilë në fshatin Çikatovë e Vjetër. Edhe pas më shumë se dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre krimeve nuk u ndëshkuan nga drejtësia”, ka shkruar ai.