Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se dakordimi të arrihet në Maqedoninë e Veriut mes palës kosovare dhe asaj serbe më 18 mars, por ka shtuar se nëse jo në atë datë, dakordimi do të ndodh më pas.
Ndërsa ka folur për presionin ndërkombëtar mbi palët, ai ka theksuar se nuk duhet të harrohen marrëveshjet që bashkësia ndërkombëtare i ka shtyrë përpara jo me qëllim të keq por që kanë përfunduar shumë keq, si ajo e Republika Srpskas.
Molliqaj ka deklaruar se presioni ekziston ndaj presidentes dhe Qeverisë, por jo Kosovës si shtet.
“Ndërkombëtarët kur japin propozime nuk i bëjnë me qëllime të këqija por nuk d.m.th. që propozimi është i mirë. Kur flasim për modelet evropiane është shumë e rrezikshme sepse në modele evropiane ka vende që kanë autonomi të plotë politike, kulturore, etj. Kosova nuk guxon të fshihet, qeveria, presidentja, para presionit ndërkombëtar. Presion nuk ka ndaj Kosovës, por ndaj presidentes, qeverisë”.
Ndërkohë, i pyetur se çfarë mund të bëjë kryeministri, ai u përgjigj me një deklaratë të mëhershme të kryeministrit Albin Kurti. Molliqaj ka shtuar se Kurti është i shantazhuar dhe tani ose duhet ta bëjë marrëveshjen, ose duhet ta lëshojë pushtetin.
“Ky kryeministër e ka pasur një shprehje ‘nuk e di qysh doket ky presioni’. Është mirë të na tregojë si po duket ky presion. Nuk është e vërtetë që Kosova është në shantazh, i shantazhuar është kryeministri Kurti. Ose duhet ta bëjë zbatimin e kësaj marrëveshje që ka faj vetë, ose duhet ta lëshojë pushtetin. Shantazhi i tij është me pushtet, ai po e do pushtetin”.
Ndërkohë, ka shpjeguar se si po shantazhohet Kurti sipas tij.
“Kurti për 2 vjet ka negociuar, është pjesë e këtij produkti, ka shkuar në takime dhe ka dhënë zotime. Nuk mund vetëm të dalësh, sikur opozita provoi që shkoi në Washington tha e bëj marrëveshjen, Asociacionin, kur erdh e kritikuan i thanë që nuk mundet. Ky ka hy në obligime, tani ose duhet ta bëj Asociacionin ose duhet ta lëshojë pushtetin. Rrugës për rastin historik që duhet t’ia jap Kosovës dhe demokracinë, ky duhet të japë dorëheqje. Të shkoj te populli dhe të thotë unë nuk e bëj Asociacionin, votomëni dhe kështu e zgjidhi problemin”.
Sipas tij, Kurti “nuk guxon të dalë para popullit të thotë po shkoj ta bëj Asociacionin”.
“Për ta bërë i kemi të gjitha partitë opozitare. Ai nuk ka ardhur në pushtet që ta bëjë Asociacionin, ai ka ardhur që të mos e bëjë. Kosova nuk humb asgjë, shkon Albin Kurti, vjen dikush tjetër që ta bëjë”.
Molliqaj ka thënë se me krijimin e Asociacionit në Kosovë gjithmonë do të ekzistojë konflikti mes dy liderëve, kryeministrit shqiptar dhe një kryetari serb që do të jetë në krye të Asociacionit.
“Kemi dy lloj pushtetesh, një linjë e pushtetit që do të jetë ajo etnike serbe, që është prej komunës, në Asociacion, në Qeveri dhe Kuvend, dhe një linjë jemi ne tjerët dhe pakicat e tjera. Këto janë dy pushtete. Kryeministri, lideri më i fuqishëm politik shqiptar do ta ketë gjithmonë përballë liderin më të fuqishëm serb në të ardhmen, ka me qenë kryetar i Asociacionit. Këtë konfrontim do ta përjetojmë përditë në konflikt në të ardhmen sepse nuk ka ndërruar as Beogradi dhe as Kosova”.
Molliqaj: Osmani duket pak e hidhëruar nga Kurti
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka vlerësuar se ka një hatërmbetje midis presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Molliqaj ka thënë se Osmani duket se është hidhëruar dhe po ndihet e mashtruar nga Kurti, pasi që e ka menduar veten si zëri racional në komunikim me ndërkombëtarët, dhe se do të jetë ajo që do të bëjë ndërmjetësimin e kompromisit të cilin nuk e bën Kurti.
“Jam i sigurt që Kurti kur e ka pranuar planin franko-gjerman, e ka mbledhur presidenten dhe kryeparlamentarin dhe i ka thënë se ky plan është i keq, nuk bën, dhe presidentja ka thënë edhe nëse vjen puna të bëhet kjo, do të jem ai ylli që do ta zgjasë dorën mes Kurtit dhe ndërkombëtarëve për t’u bërë personi ose zëri racional i Kosovës. Tashmë kur po e sheh që Kurti e ka shmangur prej këtij pozicioni dhe po ua zgjatë vetë dorën duke thënë se unë kam qenë kritiku dhe tani jam racionali, presidentja po thotë se ka kompromis me atë që kemi bërë tani me marrëveshje, dhe meqenëse tani ka kompromis të ri, Kuvendi duhet ta votojë”, ka thënë ai.
Duke përmendur si shembull atë që të martën ka thënë presidentja lidhur me modelin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, ai tha se shihet se ekziston një tension midis saj dhe shefit të ekzekutivit.
“Jo rastësisht sot ka thënë presidentja që Asociacioni më i mirë që Kosova ka pasur është ai i Komunave të Kosovës. Po e shoh që ekziston një tension dhe ajo po mundohet ta mbajë një pozicion gati më parimor-radikal sesa vetë Kurti që vjen nga një hatërmbetje që ka me kryeministrin”, është shprehur Molliqaj.
Teksa ka folur për planin evropian, për të cilin do të ketë takim midis Kosovës dhe Serbisë më 18 mars në Ohër, Molliqaj ka thënë se Serbia në asnjë rrethanë nuk e ratifikon marrëveshjen me Kosovën.
“Serbia në asnjë rrethanë nuk e ratifikon marrëveshjen me Kosovën sepse kjo i bije që do të ishte marrëveshje ndërkombëtare, pra nuk është marrëveshje ndërkombëtare për Serbinë. Perspektiva evropiane dhe ajo drejt NATO-s nuk është askund në horizont. Në preambulë Kosova ka hequr dorë edhe t’i kërkojë njohje Serbisë. 27 shkurti ka qenë kushtimisht trofeu që i është tretur Kurtit sepse tha që pranova një marrëveshje, lexojeni dhe e shihni që nuk ekziston fjala Asociacion. Kurtit i konvenonte ta pranojë planin franko-gjerman pa u shkruar fjala Asociacion, Vuçiqit i konvenonte të dilte lajmi që u pranua marrëveshja ku është edhe plani dhe hapat për zbatimin e Asociacionit. Nëse Kurti e mori trofeun e parë para opinionit publik elektoral, i cili i është tretur rrugës, ky takimi i radhës më 18 do të jetë trofeu i Vuçiqit, i cili do të thotë Kurti i cili nuk e pranonte Asociacionin, e pranoi dhe Serbia nuk kapitulloi por e detyroi Kosovën dhe BE-në ta pranojnë Asociacionin”, ka thënë ai.