Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka deklaruar se partia e tij është pro themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në rast se plotësohen tri kritere në dialog.
Nikaj ka thënë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së të enjten se Asociacioni duhet të shkojë krah procesit të njohjes së ndërsjellë, të themelohet duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos ketë kompetenca të nivelit të tretë të pushtetit.
“Sa i përket Asociacionit, PDK-ja ka pasur qëndrim konsistent dhe në vazhdimësi kemi thënë procesi i themelimit të Asociacionit fillimisht duhet të shkojë krahas procesit të sigurimit të njohjes së ndërsjellë. E dyta, që në çfarëdo procesi të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet marrë parasysh vendimin e Gjykatën Kushtetueses të vitit 2015 që është shumë i qartë nga përmbajtja e asaj çka mund të lejohet e çka s’mund të lejohet. Dhe e treta është që Asociacioni s’mund të jetë nivel i tretë i pushtetit në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Sipas Nikajt, me këto kushte, PDK-ja e ka inkurajuar Qeverinë të futet në proces të negociatave me Serbinë, ndërsa theksoi se produkti i tanishëm i marrëveshjes s’e ka njohjen në qendër.
“Brenga kryesore e PDK-së ka qenë që ky plan (evropian) nuk parasheh përmbylljen e dialogut me Serbinë dhe nuk përmendet njohja e ndërsjellë, që besoj se ka qenë konsensus i tërë spektrit, të përmbyllë procesin dhe të na hapë rrugë neve drejt mbylljes subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Asociacioni është një koncept që tashmë ka ekzistuar, por i ndërlidhur me çka”, ka thënë sekretari i PDK-së, duke theksuar se dialogut Kosovë-Serbi po i mungon transparenca nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Zyrtari i partisë opozitare ka theksuar se nga ajo që shihet sot, plani evropian e sheh vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke mos e përmbyllur tërë procesin. Ai ka thënë se mbetet të shihet edhe se çka do të përmbajë Aneksi i planit.
“Ne nuk e pamë asnjë sinjal nga 5 vendet mosnjohëse, që kanë mundur të sinjalizojnë që e shohin këtë proces në rrugë të drejtë për njohje. Debati po vazhdon se kush dhe çka ka bërë, por besoj se s’duhet ta krahasojmë procesin e dialogut me atë që është arritur në 2013-n. Qëllimet duhet të jenë të avancuara duke mësuar edhe nga përvoja qe kemi pasur në të kaluarën. Nëse dikush thotë se plani sot është më i mirë se në 2013-n nuk është asgjë. Atë që s’e shohim nga ajo që kemi parë është që këto qëllime s’po arrihen”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se Serbia është e interesuar ta mbajë të pezulluar procesin e dialogut, ta zvarrisë implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të mos e njohë Kosovën.
“Implementimi i marrëveshjeve s’ka qenë i lehtë, s’është që marrëveshjet kanë rezultuar me implementim të menjëhershëm. Është e rëndësishme njohja e ndërsjellë...Serbia po i luan të gjitha kartat në dialog, po tenton të gjejë mënyrë dhe t’i zvarrisë ato për implementim. Insistimi në njohje e ka këtë qëllim, Serbia ta njohë Kosovën dhe nga aty, procesi i negociatave është më i lehtë”, ka shtuar Nikaj.