Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë takuar një ditë pas bisedimeve në Bruksel edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Lajçak ka thënë se kanë koordinuar hapat e ardhshëm për takimin tjetër që pritet të mbahet gjatë muajit mars.
“Pas takimit të djeshëm të nivelit të lartë, Escobari dhe unë u ulëm për të koordinuar hapat e radhës për takimin e ardhshëm. U pajtuam për rëndësinë e modaliteteve të implementimit dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese të dialogut”, ka shkruar Lajçak.
Gjatë takimit më 27 shkurt në Bruksel mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sipas zyrtarëve evropianë, palët u pajtuan që s’ka nevojë për diskutime të mëtejme për Planin evropian. Megjithatë, s’pati ndonjë marrëveshje. Kurti e Vuçiqi e akuzuan njëri-tjetrin se s’ishin të gatshëm të nënshkruanin.
Takimi i ardhshëm do të jetë më 18 mars në Maqedoni të Veriut.