Besa Lusha, njohëse e zhvillimeve politike, ka thënë se në Propozimin evropian nuk ka diçka të re nga ajo që është negociuar për dy dekada në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Lusha në “Konfront” të KTV-së ka thënë se propozimi ka ardhur si gjetje e ndërkombëtarëve për çështjet e pazgjidhura mes dy shteteve fqinje.
“Marrëveshja që është promovuar kaq shumë kohë, nga ata që e kanë analizuar është vlerësuar si platformë, një mundësi që do tu japë palëve që të arrijnë në një marrëveshje finale më vonë. Gjithë ai angazhim edhe në BE edhe nga SHBA ka dalë me këtë gjetje sepse këtu nuk ka diçka risi. Të gjitha këto këtu kanë qenë çështje që nuk janë pajtuar që dy dekada”, ka thënë ajo.
Luzha ka shtuar se pikat në propozim lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, ndërkohë që i obligon palët që të mos negociojnë më për tekstin e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Duket se kjo gjetje është shumë e mirë, që disi është e hapur sepse mund të kuptohet në shumë mënyra, ka mundësi të interpretohet në mënyra të ndryshme, por në anën tjetër të dyja palët i ka obliguar që të pajtohen për si pikënisje të mos negociohet më për tekstin e marrëveshjes. Këto 11 pika janë korniza dhe nga këtu duhet të shkohet më tutje”.