Arbëri

Skandali financiar që implikon Berishajn, televizioni slloven hulumton për GEN-in në Ballkan

Transmetuesi publik i Sllovenisë, RTV Slovenija, të enjten i ka kushtuar emisionin kryesor “Tarça” kompanisë energjetike, GEN, dhe operacioneve të saj në Ballkan. Panelistë ishin Maks Helbl, kreu i bordit të GEN-it, Zijad Beçiroviq, drejtori i IFIMES, lobisti Millosh Çiriq dhe ish-drejtori i Zyrës për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Klaudijp Stroligo. Kryeministri slloven Robert Golob ishte gjithashtu i ftuar, por nuk mori pjesë. Biseda nisi me faktin se televizioni slloven vizitoi selinë e degës së GEN-it në adresën zyrtare në Prishtinë, më saktësisht në rrugën “Gustav Meyer”. Por nuk gjeti asgjë, madje as kuti postare.

Më të diskutueshme ishin transaksionet nga degët serbe të GEN-it në kompanitë e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Siç shkruan RTV Slovenija, janë shuma shumë të mëdha, të cilat Berishaj i ka tërhequr menjëherë pasi i kanë dalë në xhirollogari. Nuk dihet se ku i ka marrë paratë, pavarësisht se emisioni “Tarça” shqyrtoi të dhënat dhe kërkoi përgjigje nga institucionet e përfshira.

Kompania e Berishajt, “MB Consulting”, pak para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar në Slloveni, pas publikimit të listave të transaksioneve, u gjend në qendër të skandalit për shkak të transfereve miliona dollarëshe të GEN-it, në kohën kur kompania drejtohej nga kryeministri aktual Robert Golob.

Këto transaksione nuk kanë ardhur nga dega e GEN-it në Kosovë, por nga ajo serbe. Siç shkruan televizioni publik slloven, transaksionet vinin nga GEN-it me seli në Beograd me katër punëtorë, e cila çdo vit xhiron qindra milionë euro dhe nuk ka shenjën dalluese në objektin ku ndodhet selia.

Transaksionet e larta prej disa muajsh, kryeministri slloven Robert Golob nuk i ka shpjeguar me të dhëna dhe dokumente, përkundrazi është përgjigjur me akuzat se janë sajesa për të larë hesapet me të. Një dimension tjetër i çështjes është politik dhe ndërkombëtar, që mendohet se ky lajm është publikuar për të ndikuar në zgjedhjet në Slloveni. Televizioni ka publikuar në detaje remitencat.

Më 14 janar 2015, Berishaj themeloi kompaninë “MB Consulting” në Kosovë. Më pak se një muaj më vonë, më 11 shkurt 2015, paratë vijnë nga Beogradi për herë të parë. GEN-i transferoi 66.500 euro në kompaninë e sapohapur, në të cilën është i punësuar vetëm Berishaj. Dy ditë pas kësaj, Berishaj tërhoqi 50 mijë nga llogaria.

Brenda një muaji, një tjetër transferim nga Beogradi. Kësaj here mbi shtatë mijë euro. Berishaj tërheq pak më pak se tre mijë të nesërmen e transferimit. Në prill 2015, përsëri një transfertë më e madhe: 22 mijë. Tërheqje 18 mijë euro në pak ditë. Dhe kështu me radhë. Transferim - tërheqje, transferim - tërheqje. Një transaksion në shkurt 2016 arriti në 92 mijë euro.

Nga listat e analizuara të transaksioneve del se GEN-i në Beograd vetëm kompanisë kosovare “MB Consulting” i ka transferuar gjithsej 1.5 milionë euro. Sipas analizës së “Tarçës”, nga llogaria e kompanisë së Berishajt janë tërhequr rreth 1.2 milionë euro cash.

Kjo s’ishte kompania e vetme e Berishajt, të cilës GEN-i nga Serbia i ka transferuar para. Mes viteve 2019 – 2020, GEN-i i ka transferuar para kompanisë malazeze me po të njëjtin emër, “MB Consulting”, me pronar Martin Berishajt. Transferet bëheshin çdo muaj, për gati dy vjet, dhe më shumë se 50 mijë euro në muaj. Sipas dokumenteve, në vitin 2019 dhe 2020 janë arkëtuar gjithsej 566 mijë euro transferta nga dega serbe e GEN-it te kjo kompani.

Deri më sot askush nuk i ka mohuar transaksionet milionëshe të publikuara, as Berishaj dhe as GEN-i. Tërheqja e sasive të mëdha të parave, megjithatë, ka ndezur spekulime për pastrim parash.

Paratë nga kompania “MB Consulting” - rreth 8.500 euro - shkuan edhe për kompaninë kosovare “Myloja”, ku përveç Berishajt, bashkëpronarë ishin edhe sllovenët Anton Çerne dhe Janez Bukovnik, të dy drejtues të vjetër të Lotarisë Sportive Sllovene. Bukovniku i tha “Tarças” në telefon se nuk ka investuar para në kompaninë në Kosovë.

“Vite më parë me iniciativën e Berishajt e hapëm për çdo rast, në pleqëri, do të bënim diçka me këtë kompani”, ka thënë ai. Bukovniku thotë se nuk ka kontakte me Berishajn dhe se vetëm pranverën e kaluar e ka njoftuar se do ta mbyllë kompaninë në Kosovë.

Një slloven mund të gjendet edhe në kompaninë e katërt, dikur të Berishajt, “Zaslon Kosova”. Sipas të dhënave të disponueshme zyrtarisht, pronar i rreth 85 për qind të aksioneve është biznesmeni i njohur slloven Erazem B. Pintar. Ai në një bisedë telefonike i tha TV Slovenija se nuk i kujtohet të ketë një kompani në Kosovë, dhe se nuk e ka themeluar kompaninë. Por Berishajn e ka takuar vetëm një herë në jetë.

“Tarça” ka provuar të kontaktojë edhe me Berishajn, por nuk është përgjigjur, pavarësisht siç shkruhet, tentimeve të panumërta.

Çfarë ka bërë konkretisht Berishaj për kompaninë sllovene të energjisë në Ballkan?

Ndonëse afera ka edhe dimension politik, gjatë gjithë këtyre muajve kryeministri Golob asnjëherë nuk i ka hedhur poshtë dyshimet me përgjigje e shifra thelbësore.

Po ashtu, edhe në Kosovë, çështja ka marrë kahe politike. Opozita e ka shfrytëzuar këtë çështje për ta goditur partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Vetë Berishaj daljen e vetme para mediave e ka pasur në Forumin Ekonomik Kosovë-Kroaci, në Prishtinë, më 26 janar të këtij viti. Pati thënë se akuzat ndaj tij kanë prapavijë politike.

“Dua të them që këto spekulime, të cilat janë bërë, i hedh poshtë. Ato kanë vetëm një qëllim, që të denigrohet personaliteti im, imazhi i Kosovës, dhe të bëhen çështje për t’i futur në marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Kroacinë apo Slloveninë. E fusin njerëzit të cilët kanë dëshirë të bëjnë emër, në emër të tjerët kujt. Këta shpifës do të dalin para gjyqit”, ka thënë Berishaj.

Ai është hetuar nga një komision parlamentar. Pikërisht për atë se çfarë ka thënë në këtë komision vitin e kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës të premten ka dorëzuar kallëzim penal ndaj tij.