Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se ka larguar nga puna ish-ushtruesin e detyrës së e drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, Burim Buleshkaj, dhe ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit Prizren, Destan Zogaj.
“Ndaj tyre ishte iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016. Gjatë hetimit dhe rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë e tyre, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka konstatuar se lidhur me rastin në fjalë, B.B dhe D.Z janë përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore. Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës duke u bazuar në këto shkelje ka vendosë largimin e të dy nëpunësve civilë nga puna”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Në njoftim nuk është specifikuar se për cilin rast bëhet fjalë, por KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për rastin “Dehari”.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.